Haxhinasto: Koalicioni me PD, u bë për të mirën e vendit
Kryetari i Komitetit Drejtues të LSI, Edmond Haxhinasto, tha se bashkëqeverisja me Partinë Demokratike ishte e detyruar, me qëllimin për të shmangur zgjedhje të tjera në Shqipëri, pasi populli nuk do të mund ti përballonte. Sipas Haxhinastos, në rast se LSI do të bënte koalicion me Partinë Socialiste, atëherë nuk do të sillte gjë tjetër vetëm se destabilitet politik dhe ekonomik në vend.
Ai deklaroi se sot popullit shqiptar nuk i intereson se kush është në pushtet apo se me kë forcë politike bashkëpunoi Lëvizja Socialiste për Integrim, por i nevojitet të dijë se si do të ulet varfëria, se si do të përmirësohet jeta e tyre dhe se si do të ulet papunësia. Sipas tij Partia Socialiste nuk ka asnjë të drejtë që ti bëjë moral LSI, sepse ishte PS ajo që hartoi një kod i cili kërkonte me ngulm që të asgjësonte LSI-në, si forcë politike. Përse e quajnë tradhti koalicionin tonë me PD socialistët, po kur ata bashkëpunuan me mazhorancën për të hartuar këtë kod zgjedhor me qëllimin e vetëm që të nxirrnin nga politika Lëvizjen Socialiste për Integrim, përse nuk na qenka tradhti, tha Haxhinasto. Ndërsa në lidhje me votuesit e LSI, Haxhinasto u shpreh se asnjë parti tjetër nuk ka arsye që të përmend votuesit e LSI, sepse është kjo forcë politike e cila duhet të japë një përgjigje për 83 mijë votuesit e saj. Votuesit tanë nuk na votuan që ne të rrëzojmë Berishën, por na kanë votuar për programin tonë qeverisës, na kanë votuar si një parti me një program të qartë për të sjellë një zhvillim për vendin, deklaroi Haxhinasto.