E Diel, 1 Nëntor 2026

Meksi: Mosshqyrtimi i kërkesës së LZHK, vendim politik i KQZ

Partitë e vogla të spektrit të djathtë e kanë cilësuar Komisionin Qendror Zgjedhor si një subjekt politik, ku sipas tyre ky subjekt i merr urdhrat nga dy forcat e mëdha politike, dhe nuk vendos në bazë të ligjit. Kryetari i koalicionit Poli i Lirisë, Aleksandër Meksi, theksoi se vendimi i KQZ, për të kthyer mbrapsht ankimimin e Lëvizjes për zhvillim Kombëtar, është një veprim politik, sipas tij KQZ, nuk e ka parë atë se çfarë shkruhej në kërkesën e bërë nga LZHK, por e ka kthyer menjëherë mbrapsht, sepse kanë marrë urdhër nga eprorët e tyre, që të mos marrin në konsideratë asnjë kërkesë të partive të vogla. LZHK kërkonte ripërsëritjen e zgjedhjeve në disa zona të vendit ku pretendonte se i ishin vjedhur vota të cilat mund ti jepnin një mandat këtij subjekti politik, por kjo kërkesë u kthye mbrapsht nga KQZ. Nuk ka veprim , më të ulët politik se marrja e një vendimi në bazë të urdhrave politikë dhe jo në bazë të ligjit. Me ligj është se çdo subjekt ka të drejtë të bëjë ankimim në KQZ, në rast se ka prova që është abuzuar me këtë parti, dhe më pas KQZ, duhet të kërkojë provat dhe në qoftë se këto prova nuk e bindin atëherë ajo mund të kthejë një përgjigje negative. Në këtë rast KQZ, nuk e ka parë fare kërkesën e bërë nga LZHK, por personat përgjegjës të kësaj zyre kanë vendosur në bazë të urdhrave të marra nga eprorët e tyre të cilët i kanë vendosur në ato pozicione që të kthejnë mbrapsht animimin e LZHK, theksoi Meksi. Sipas tij KQZ, duhet të ishte një subjekt i pavarur nga politika në mënyrë që të arriheshin standardet në zgjedhje, duke shtuar se në Shqipëri nuk ka për të patur asnjëherë zgjedhje të lira dhe të ndershme derisa KQZ, të jetë e pavarur politikisht, ku njerëzit të cilët punojnë në këtë institucion të mos jenë të varur politikisht nga Partia Socialiste dhe Partia Demokratike. Ndër të tjera Meksi deklaroi se në zgjedhjet e tjera në Shqipëri duhet krijuar një institucion plotësisht i pavarur nga politika, dhe vetëm ky institucion të ketë të drejtën e administrimit të procesit zgjedhor, duke filluar nga komisionerët në qendrat e votimeve dhe duke përfunduar tek komisionerët e procesit të numërimit të votave. Në asnjë vend të botës procesi zgjedhor nuk administrohet nga partitë politike, sepse atje ka një institucion të pavarur politikisht, dhe drejtuesit e këtij institucioni punojnë duke zbatuar me përpikmëri ligjin, theksoi Meksi. Sipas tij Komisioni Qendror Zgjedhor nuk duhet lënë në duar të militantëve, por duhet lënë në duart e profesionistëve, të cilët janë më objektivë dhe më të ftohtë në vendimmarrje. Ndërsa theksoi se njerëzit më të përgatitur për të administruar procesin zgjedhor janë juristët, të cilët sipas tij janë njohës të mirë të ligjit dhe të kushtetutës, si dhe punonjësit e gjendjeve civile, të cilët janë profesionistë në administrimin e listave të votuesve. Gjithashtu Meksi u shpreh se është shumë e nevojshme dhe futja e procesit elektronik për numërimin e votave. Në asnjë vend demokratik në atë që quhet bota perëndimore nuk ka patur asnjëherë kaq shumë probleme për procesin e numërimit të votave, dhe nuk është ankuar asnjë subjekt politik për manipulim vote, dhe kjo ka ardhur sepse atje ka një proces elektronik shumë të sofistikuar, ku rezultatet dalin shumë shpejt dhe në mënyrë shumë të drejtë, tha Meksi. Ndërsa preku dhe një herë çështjen e Partisë Socialiste, ku theksoi se një hajdut asnjëherë nuk mund të akuzojë një hajdut, për vjedhje dhe manipulim vote, duke i quajtur pretendimet e PS, si një zvarritje dështake për të mos pranuar humbjen. Sipas tij PS, ka vjedhur dhe manipuluar votat e mijëra shqiptarëve, dhe nuk mund të bëjë si e dëmtuar, dhe si e prekur nga ky proces zgjedhor, duke shtuar se PS po ankohet nga një proces të cilën ajo vetë e hartoi dhe e vuri në zbatim. Sipas tij kur ankohet PS për vjedhje dhe manipulim vote, përse nuk mund të ankohen partitë e tjera të vogla të cilat nuk kanë patur as mundësinë më të vogël për të mbrojtur votën e tyre, sipas tij kjo është një tjetër arsye e fortë për të treguar se KQZ është e varur politikisht, sepse ka kohë që po merret me zonat ku pretendojnë PD dhe PS, se ju është vjedhur vota, dhe nuk janë marrë në asnjë moment me pretendimet e partive të vogla.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›