Berisha: Opozita të tregojë vullnet edhe për heqjen e imunitetit
Kryeministri Berisha vlerësoi nisjen e shqyrtimit të projekt-ligjit për Gjykatën Administrative, duke uruar që PS të japë votën e saj “pro” pa hezitimin që pati për Kodin Penal, ndërsa në Bruksel priteshin lajme për rrugën tonë drejt BE-së
Kryeministri Sali Berisha përgëzoi shqyrtimin e ligjit për gjykatën administrative në komisionin e Ligjeve, ndërsa i bëri thirrje opozitës që të mos e përdorë për të penguar reformat integruese të vendit. Duke folur në mbledhjen e grupit të PD-së, kryeministri Berisha gjithashtu i bëri thirrje opozitës të bashkëpunojë edhe për heqjen e imunitetit.
“Unë përgëzoj Komisionin e Ligjeve që nisi sot, shqyrtimin e një ligji shumë të rëndësishëm për të gjithë botën e biznesit shqiptar, por edhe për administratën dhe për punonjësit, siç është ligji i Gjykatës Administrative, i përgatitur me ekspertizën më të mirë që USAID-i, financuesi kryesor i këtij projekti, kontraktoi për hartimin e tij. Partia Socialiste ka miratuar në parim ligjin, gjë që nuk e bëri për 2 vjet rresht dhe ka kërkuar konsultime të mëtejshme. Kjo është gjë normale. Të vetmen gjë që urojmë është që të mos e përdorin për të pritur ndonjë datë tjetër, kur do të diskutohet për Shqipërinë, për ta bllokuar. Uroj të marrin kohën e tyre, të kenë konsultime të gjëra që, ndonëse janë bërë, le të bëhen përsëri, nuk ka asnjë kundërshtim”- u shpreh Berisha. Ndërsa i bëri thirrje opozitës të tregojë vullnet për kufizimin e imunitetit, që siç tha kreu i qeverisë, janë të marrë peng nga një grusht i vogël milionerësh, që kudo flasin vetëm për paratë.
“Unë uroj gjithashtu dhe bëj thirrje që të njëjtin vullnet të tregojnë dhe për ndryshimin e imunitetit, kufizimin e imunitetit, në qoftë se janë të çliruar nga një grusht i vogël milionerësh, që, siç e keni vënë re, në çdo dalje televizive flasin vetëm për paratë. Ku e kishin gjetur Keti Bazhdarin, që në çdo tre fjali thoshte unë kam para! E kanë ngulitur deri në palcë, se për të qenë socialist i efektshëm, duhet të jesh milioner, ndryshe harroje. Nuk kisha dëgjuar ndonjëherë! Fideli po, por zonja si prurje e re?! Unë kam para, thoshte?! Në rast se grupi i milionerëve e lejon, ne do ta vlerësonim shumë. Ne jemi të gatshëm të përdorim cilindo variant” - tha kryeministri.