E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha: I vendosur për t’i dhënë zgjidhje problemit të parkingjeve në kryeqytet

13-03-2012 / Gazeta 55

Bashkia e Tiranës nënshkruan marrëveshjen koncensionare me kompaninë “Gener 2”, për ndërtimin e një parkingu nëntokësor tek sheshi “Italia”

Së shpejti, Tirana do të ketë të parin parkim nëntokësor. Marrëveshja koncesionare e nënshkruar dje, mes Kryetarit të Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha dhe përfaqësuesit të subjektit “Gener 2”, Bashkim Ulaj i ka hapur rrugë fillimit të procedimit të mëtejshëm, për ndërtimin e këtij parkimi nëntokësor. Parkimi nëntokësor zë një sipërfaqe prej afro 9 mijë metra katrorë të sheshit “Italia”. Ajo do të shtrihet në katër nivele nëntokësore dhe do të ketë hapësirë parkimi për 1000 automjete. Vlera e investimit është rreth 1.6 miliardë lekë dhe realizimi i saj do të bëhet brenda një viti, nga dita e nisjes së punimeve. “Sot kam një kënaqësi të dyfishtë! Pikë së pari, të gjithë e dimë se sa i vështirë është parkimi në qytetin tonë, se çfarë frustrimi përjeton automobilisti që do të shkojë nga një vend në një vend tjetër, për të gjetur një vend parkimi të përshtatshëm, frustrim të cilin e ndiej edhe personalisht dhe kur e ndien Kryetari i Bashkisë, i cili zakonisht lëviz me shofer, imagjinoni se çfarë ngërçi dhe se sa shumë probleme shkakton tek qytetarët mungesa e parkimit të përshtatshëm në qytetin e Tiranës, mungesa e parkimit është një nga shkaqet kryesore të trafikut të rënduar, është një nga shkaqet kryesore të rritjes së kostos së mobilitetit, lëvizshmërisë, transportit të qytetarëve të Tiranës brenda qytetit të Tiranës, është një nga shkaqet kryesore të rritjes së parametrave ndotës të ambientit, veçanërisht të ajrit të qytetit të Tiranës dhe në strategjinë afatgjatë të Bashkisë së Tiranës, ndërtimi i parkimeve të përshtatshme është një ndër instrumentet kryesorë, si për lehtësimin e trafikut, si për uljen e kostos së lëvizshmërisë në qytetin tonë, që ka të bëjë drejtpërdrejt me treguesit e konkurrueshmërisë së ekonomisë së qytetit tonë, po kështu natyrisht edhe me ajrin që thithim ne, që thithin fëmijët tanë. Së dyti, kjo vepër e cila do të fillojë të ndërtohet së shpejti është pa dyshim një front shumë i mirëpritur pune në kryeqytet, i cili do të hapë me qindra vende pune, me mijëra do të thoja po të kemi parasysh zinxhirin që tërheq industria e ndërtimit, anembanë degëve të ndryshme të furnizimit, mirëmbajtjes e shumë e shumë aspekteve të tjera, pra është një investim me vlerë prej 1.6 miliardë lekësh, afro 12 apo 13 milionë euro në vetvete, por pa dyshim një investim që do të tërheqë pas vetes shumë e shumë miliona euro të tjerë dhe do të hapë me mijëra vende pune për qytetin gjatë ndërtimit dhe natyrisht pas ndërtimit do të jetë një front pune i ri në kryeqytet”- u shpreh Basha. Kryetari i Bashkisë garantoi se ky projekt do të pasohet së shpejti, nga projekte të tjera për ndërtimin e parkingjeve anembanë Tiranës, krahas projekteve strategjike si zgjatimi i Bulevardit dhe rehabilitimi i Lumit të Tiranës. “Ne jemi në proces të finalizimit të procesit të Planit të Ri Urbanistik të Tiranës dhe paralelisht po ecim me projektimet e investimeve strategjike, të tilla si: zgjatimi i bulevardit kryesor të qytetit, rehabilitimi i lumit të Tiranës, ndërtimi i parqeve të reja, ndërtimi i një terminali të ri multimodal për pasagjerët e qytetit dhe ndërqytetës, por të gjithë këto përpjekje do të ishin të paplota, pa një mozaik të përshtatshëm parkimesh nëntokësore, mbitokësore dhe një politikë të kujdesshme të parkimeve, anës rrugëve të kryeqytetit. Duke shprehur kënaqësinë për atë ç’ka përfaqëson ky parkim, kjo vepër në kuptimin e lehtësimit dhe përmirësimit të cilësisë së jetesës në qytetin tonë, për ta bërë qytetin tonë, një qytet ku punohet, jetohet më mirë dhe shijohet më mirë jeta, por gjithashtu si një front pune që do të punësojë një numër të madh qytetarësh të Tiranës, por po kështu të shpreh vendosmërinë tonë për të ecur përpara me këtë politikë koncesionare dhe në këtë javë të dytë të marsit, të përdor metaforën e shumë përdorur që “kjo le të jetë dallëndyshja e parë” e kontratave të tilla koncesionare dhe e ndërtimeve të parkimeve anembanë qytetit tonë, aspekt shumë i rëndësishëm për një Tiranë moderne europiane, për një Tiranë të shekullit XXI” - tha ai. Sipërfaqja në të cilën do të ndërtohet ky parkim nëntokësor është një sipërfaqe e përshtatshme, afro 9 mijë metra katrorë të sheshit “Italia”, në nivel nëntokësor, 4 kate, do të hapin vende për 1000 automjete, një sipërfaqe ku ka nevojë të ngutshme për të lehtësuar trafikun brenda qytetas. Rrugët dhe hapësirat në të dy anët e kësaj sipërfaqe, sot janë ndër arteriet më të zëna të qytetit nga orët e hershme të mëngjesit deri në orët e vona të darkës dhe kushdo që kalon nëpërmjet këtyre arterieve gjatë ditës e ka të qartë vetë se sa frustruese është pritja në trafik, për t’u futur apo dalë nga rruga e Elbasanit apo për t’u futur e dalë nga arteriet e tjera që shtrihen në anët e zonës ku projektohet parkimi nëntokësor.

 
Në Këshillin Bashkiak, dhënia me koncesion kërkonte votimin nga 3/5 e anëtarëve, gjë e cila nuk u arrit në mbledhjen e radhës ku është diskutuar kjo. Më pas kemi informacion se edhe Prefekti i Tiranës e ka kthyer mbrapsht, për shkak të këtij ngërçi ligjor që u krijua. Si është zgjidhur kjo gjë?
Është zgjidhur plotësisht sipas ligjit. Është e vërtetë që paraqitja e plotë e dokumentit në Këshill Bashkiak ishte në tejkalim të kompetencave të Këshillit Bashkiak. Këshilli Bashkiak tashmë e ka dhënë aprovimin e tij, në një fazë paraprake, ka qenë Këshilli i kaluar Bashkiak, i cili me propozim të administratës së kaluar ka miratuar tarifat, ndërsa pjesa tjetër e vendimmarrjes deri në nënshkrimin e kësaj kontrate, sipas mendimit të Prefektit dhe sipas mendimit të ATRAKO-s, që është (Agjencia Kombëtare e Koncesioneve) kryhet midis administratës, Kryetarit të Bashkisë dhe palës koncesionare dhe kjo është mënyra se si është proceduar ligjërisht”.

Kur me saktësi do të fillojnë punimet në sheshin “Italia”?
Në bisedën që pata sot me Administratorin e kompanisë që do të kryejë punimet, për ndërtimin e këtij parkimi konkluduam që do të angazhohemi të dy palët, për të ecur sa më shpejt, secili me detyrimet e veta. Natyrisht kontraktori duhet të bëjë parashikimet e veta, mobilizimin, mobilizimin financiar dhe gjithçka tjetër. Bashkia, në frymën e një institucioni të hapur ndaj iniciativës së lirë, ndaj biznesit, ndaj investimeve nuk do të vonojë asnjë ditë në marrjen e vendimeve, të cilat do të merren sipas të gjithë parashikimeve ligjore, dhënies së lejes së ndërtimit dhe aspekteve të tjera si dhe do të ndjekë hap pas hapi ekzekutimin e projektit, të cilin (dëgjuat edhe përfaqësuesin e koncesionarit) ka si qëllim ta përfundojë brenda një kohe shumë të shkurtër.
Bashkim Ulaj: Projekti do realizohet shumë shpejt

Përfaqësuesi i firmës zbatuese Bashkim Ulaj shprehu vendosmërinë, për realizimin e shpejtë të këtij projekti, të cilin e konsideroi një tjetër premtim të mbajtur të zotit Basha:
“Besoj që është një ndër projektet e rëndësishme që ka të bëjë me zhvillimin urban të qytetit dhe përsëri ju falenderoj se jeni në vazhdimësi të premtimeve që ju keni dhënë që në momentin e fushatës, as më shumë e as më pak pjesën tjetër, Z. Basha e citoi para jush. Jam i kënaqur që jam sot për të firmosur këtë kontratë, realizimi i së cilës do të jetë shumë i shpejtë dhe brenda të gjithë parametrave e standardeve që koha sot kërkon”- tha ai.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›