E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria në moshën dixhitale, përdorimi i internetit në 12 muaj është rritur me 340%

13-03-2012 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha tha dje se përdorimi i internetit, në harkun kohor 12 mujor, ka njohur rritjen më të lartë, një rritje me shpejtësi kuantike, është rritur me 340 për qind.
Sipas tij, PD e shpalli si një nga objektivat madhorë në programin e saj, dixhitalizimin e Shqipërisë. “Unë u ndala në këtë çështje, sepse kur në vitin 2006, kjo forcë politike shpalli si një nga objektivat më madhor të saj “Shqipërinë në moshën dixhitale”, kjo nismë u mbulua me skepticizmin më të madh, madje edhe përtej skepticizmit, të opozitës shqiptare dhe jo vetëm saj. “Shqipëria dixhitale” është Shqipëria, në të cilën qytetarët e saj disponojnë potencialet më të mëdha të komunikimit. E vërteta është se e drejta për komunikim është sinonim i të drejtës për të vërtetën, për të mësuar të vërtetën. Rritja me 340 për qind është rritja më marramendëse që mund të jetë regjistruar ndonjëherë dhe kjo ka ndodhur pas liçensimit të 3G-së nga autoritetet shqiptare, masivizimit të Smart-phone, që përfaqëson një kompjuter të mrekullueshëm në xhepin e çdo qytetari” - tha ai.
Gjithashtu, kryeministri tha se shkalla e penetrimit të telefonisë celulare në Shqipëri, nga 140 që ishte një vit më parë është ngjitur në 189 për qind. Berisha theksoi se problem aktualisht mbetet çmimi i internetit ku pikësynim është ulja e mëtejshme e tij njësoj si me çmimet e kompanive të telefonisë. “E vërtetë, pasioni i shqiptarëve për celularët, për komunikimin është shumë i madh! Sot, asnjëri nuk ka tjetër, veçse të përshëndesë këtë progres të jashtëzakonshëm të vendit drejt “Shqipërisë dixhitale”. Në vitin 2007, ne kemi pasur rritjen më të madhe në Europë, për përdorimin e internetit. Në vitin 2010, ne kemi qenë të dytët në botë, për sigurinë  e rrjetit, ndërsa viti 2011 shënon një rritje prej 340 për qind për përdorimin të internetit në Smart-phone, e cila sot është bërë edhe mënyra me komode e shfrytëzimit të këtij universi  virtual. Por ka një problem për t’u zgjidhur dhe ky problem qëndron në çmimin e internetit. Kompanitë e mëdha kanë adaptuar një qëndrim të ri, përsa i përket çmimeve të bisedave telefonike dhe unë i përgëzoj ato. Faktikisht, ato çmime krahasuar me vitin 2005, janë ulur disa herë. Sot, me karta konstante apo të parapaguara, me paketa apo jashtë tyre është një komunikim intensiv, në të katër anët e vendit. Nuk të kërkon kush më “më bëj një zile”. Kjo kërkesë që diktohej nga çmimet stratosferike, sot është harruar, është arkivuar. Por sot, interneti sërish ka një çmim më të lartë, sesa në vendet  e tjera. Qeveria po merr të gjitha masat që, në të katër anët e vendit, shqiptarët të mund të blejnë internet me çmimin më të ulet në Europë.
Ne i qëndrojmë asaj që premtojmë! Posta Shqiptare ka përgatitur masterplanin për të hapur edhe 1200 pika të tjera të dhënies së internetit falas, duke u bërë kështu ndoshta  vendi i vetëm, apo ndër të paktë në botë, që ofron internet falas për qytetarët e saj. Kështu që edhe ky problem që ka mbetur për t’u zgjidhur, pra i çmimit të internetit, do të marrë zgjidhjen me kushtet e ndershme të tregut. Ndërkohë janë një seri projektesh madhore në zhvillim e sipër, të cilat finalizohen gjatë këtij viti” - tha më tej kryeministri.

 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›