Shqipëria mund të anëtarësohet në BE më shpejt se parashikimet

Presidenca hungareze e Evropës rikonfirmoi dje vullnetin për konsolidimin e bashkëpunimit mes dy vendeve, por edhe për mbështetjen e kursit të reformave që do ta afrojnë Shqipërinë me BE-në
Berisha-Orban: Rezultati për Tiranën duhet të respektohet nga të gjitha palët
Presidenca e radhës e Bashkimit Evropian shprehet se integrimi i Shqipërisë mund të realizohet përpara afateve të parashikuara nëse ecuria e reformave dhe plotësimi i kuadrit demokratik të vendit ecën me ritme të përshpejtuara. Kështu u shpreh dje kryeministri i Hungarisë Viktor Orban në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Sali Berisha, pas takimit të zhvilluar mes tyre. Orban u ndal te perspektiva evropiane e Shqipërisë, ku lëshoi apelin se klasa politike duhet të kontribuojë në realizimin me përkushtim të të gjitha kritereve të integrimit. Ai theksoi se vlerëson përparimin e Shqipërisë që nga vizita e tij e parë para 10 vjetësh ndërsa shtoi se vlerëson kërkesën e Shqipërisë që anëtarësimi i saj të bëhet në sajë të meritës dhe konsensusin e plotë të dyja palëve për procesin e integrimit. Nga ana e tij, kryeministri Berisha tha se qeveria e tij ka procesin e integrimit si projektin më të rëndësishëm për vitet që vijnë.
“Qeveria e konsideron këtë proces tërësisht të bazuar në meritë. Në mënyrën më të përsëritur unë deklaroj që ne kemi për të ndërtuar Europën në çdo cep të vendit tonë. Në këtë moto kemi ndihmën e vendeve mike, dhe ju jemi mirënjohës”- tha Berisha.
Kreu i qeverisë shqiptare, duke iu referuar vendimit për Tiranën theksoi se mazhoranca do të respektojë vendimit e Kolegjit.
“Rezultati për Tiranën është në gjykim dhe nuk ka asnjë mëdyshje që shteti ligjor do të respektohet në çdo rast. Ne i qëndrojmë vendimit të respektojmë vendimin e institucionit edhe nëse na pëlqen apo jo”- theksoi Berisha.
Kryeministri Sali Berisha ka shprehur binden e tij se institucionet që do të vlerësojnë rezultatin për bashkinë e Tiranës dhe do ta kalojnë këtë provë për ta me sukses të plotë.
“Institucionet e Shqipërisë garantojnë zbatimin e ligjit. Zgjedhjet që u zhvilluan në tërësi në Shqipëri përfunduan në një kohë të shkurtër dhe rezultatet ishin më të qarta. Në Tiranë ishte rezultat i gushtë, vlerësimi i të cilit është në vlerësim e sipër nga institucionet e vendit dhe se rezultati i ngushtë është një test për këto institucione, që kam bindjen se do ta kalojnë me sukses të plotë”- deklaroi Berisha.
Ndërkaq, i pyetur nga mediat se çfarë mendon ai në lidhje me numërimin e fletëve të kontestuara, kryeministri hungarez Viktor Orban, theksoi se është mirë që të ndiqet praktika amerikane. “Nuk mund të ndërhyj në punët e të brendshme të Shqipërisë, por mund të bëni atë që kanë bërë amerikanët. Të numëroni votat fletët e votimit, dhe më pas të lejoni gjykatën të vendosë për to”- deklaroi shefi i ekzekutivit Orban.
Kryeministri hungarez Orban, vendi i të cilit mban edhe presidencën e Bashkimit Europian ka kërkuar nga shqiptarët deklaruar të zgjidhin debatet e brendshme.
Ai vuri në dukje se debatet janë çështje e vetë shqiptarëve prandaj ato duhet të zgjidhen nga populli shqiptar. Kreu i qeverisë shqiptare Sali Berisha e vlerësoi vizitën e kryeministrit Orban si shumë të rëndësishme në marrëdhëniet midis dy vendeve, por edhe në marrëdhëniet e Shqipërisë me Bashkimin Europian, pasi Hungaria mban kryesinë e radhës së BE-së. Kryeministri Berisha e falënderoi me mirënjohje Kryeministrin Orban për mbështetjen e vazhdueshme që Hungaria i ka dhënë dhe i jep Shqipërisë në vijimësi proceset e saj integruese dhe liberalizimin e vizave për qytetarët shqiptarë.
Pyetje-përgjigjet e konferencës për shtyp të dy kryeministrave, Berisha dhe Orban
Sapo janë mbaruar zgjedhjet lokale në Shqipëri dhe debati më i madh është ai për fletët që janë gjetur në kutitë e gabuara. Nga eksperienca juaj si politika, tashmë Kryeministër i Hungarisë dhe kryesues i radhës i Presidencës së BE-së, mendoni se kjo çështje duhet trajtuar me prioritet, ato fletë duhet numëruar dhe janë të vlefshme se janë vullneti i zgjedhësve?
Kryeministri Orban: Sigurisht, nuk ka dyshim se unë jam ekspert për këto çështje, sepse unë kam fituar shumë zgjedhje, ashti si dhe kam humbur shumë zgjedhje. Pra, nuk ka lloje zgjedhjesh që unë nuk i kam provuar në jetën time. Tani unë nuk dua që t’i fyej shqiptarët duke ndërhyrë në punët e tyre të brendshme, por e vetmja gjë që mund të themi në parim është në të tilla raste ju lutem mund të bëni atë që kanë bërë amerikanët. Ka ndodhur një herë, apo jo. e keni parë në televizor, unë e kam parë në televizor. Ju duhet të shikoni votat, të numëroni votat, fletët e votimit. Është gjë e mirë që edhe televizioni tashmë i trajton këto. Pas kësaj, ju duhet të mbështeteni rehat-rehat në karriget e kolltukët tuaja e të lejoni gjykatat të marrin vendimin përkatës. Kjo ndodhi në Amerikë. Më falni, por unë nuk kam ndonjë këshillë, sugjerim më të mirë, sesa kjo praktikë amerikane.
Zoti Kryeministër, ju thatë se debatet politike janë çështje të vetë shqiptarëve por këto debate politike i refuzuan Shqipërisë pak muaj më parë, në nëntor të vitit 2010, statusin e vendit kandidat. Duke parë deklarimet e deritanishme të liderit të opozitës se nëse ai nuk do të marrë fitoren e këtyre zgjedhjeve sërish do të përdoret e njëjta praktike. Pra sërish rrezikohet e njëjta situatë. A e meritojnë shqiptarët që mundi i gjithë këtyre viteve, siç e vlerësuat ju, të hidhet poshtë nga sjellja e një apo një grupi individësh?
Kryeministri Orban: Unë në asnjë mënyrë nuk dua të shfaqem këtu si një këshilltar për këtë punë, aq më tepër se nuk është se unë po marr dhe ndonjë shpërblim për këshillat që mund të jap. E vetmja gjë që unë mund të them është që çështjet e brendshme të një kombi duhet të zgjidhet nga vetë ky komb, në përputhje më dëshirat e mendjeve dhe të zemrave të tyre. Ndaj, ju lutem, mos dëgjoni askënd tjetër për këtë gjë. Bëjeni në mënyrën që është në interesin më të mirë të Shqipërisë e shqiptarëve dhe mendoni për vendimin më të mirë, që është ai vendim që ju bën ju të jetoni më mirë, të bëni një jetë sa më të mirë për një kohë sa më të gjatë. Sepse në rast se do të merrni një vendim që do të jetë nën ndikimin dhe influencën e të huajve, ka mundësi që atë ditë dhe në ato momente ju ta ndjeni veten të lumtur, por një javë më vonë ju do ta ndjeni veten keq. Kjo është ajo ç’ka unë propozoj për ju. Pra vendosni në mënyrën më të mirë për shqiptarët dhe Shqipërinë.
Nga përvoja juaj, në bazë të rregullave që ka Bashkimi Evropian, a mund të jepni një datë realiste për aderimin e Shqipërisë? Dhe në këtë drejtim cila do të ishte mbështetje e Hungarisë?
Kryeministri Orban: Kemi shumë përvojë në atë drejtim. Ne kemi përvojën tonë. Jemi nga ato vende që hymë në Bashkimin Europian në vitin 2004. Kemi dhe përvojën e Rumanisë, Bullgarisë, që aderuan pak më vonë. Dhe së shpejti ne do të kemi një përvojë tjetër në këtë drejtim që do të vijë nga Kroacia. Pra nuk është çështja data se kur do të hyjë një vend në Bashkimin Europian, por kjo është çështje që ka të bëjë me përvojën. Mendoj se kjo kornizë kohore mund të shkurtohet në mënyrë të ndjeshme. Dhe mendoj se si Shqipëria ashtu dhe vende të tjera mund të hyjnë edhe më shpejtë në BE sesa vendet e tjera që kanë aderuar më parë. Prandaj mendoj se energjia e harxhuar për të plotësuar kriteret, përkushtimi ndaj objektivit për tu bërë anëtar i Bashkimit Europian, asnjëherë nuk është një kohë dhe një shpenzim i shkuar kot. Ndaj sa më shumë energji që ju jeni të gatshëm të mobilizoni në këtë drejtim, aq më i shpejtë do të jetë dhe procesi i integrimit evropian. Pikërisht këtë gjë kemi bërë ne si Hungari. Kjo mendoj do të çoj edhe Kroacinë drejt një suksesi në këtë proces.
Zoti Kryeministër Orban qeveria juaj ka marrë një vendim, ka ndryshuar ligjin për median, ç’ka do të thotë se media atje në një farë mënyrë censurohet duke u kontrolluar. Pse ky vendim?
Kryeministri Orban: Unë mendoj se do të ishte një gabim i madh nëse dikush do të vendosë censurë mbi median. Dhe ai që do të guxonte ta bënte një gjë të tillë në Hungari do të më kishte mua kundërshtarin e tij të parë, pasi jam një mbështetës i vendosur i lirisë së medias. Sepse, në fakt, ne kemi lutur shumë për lirinë e medias dhe unë kam qenë, gjithashtu, pjesëmarrës në këtë luftë të përgjithshme. Kjo ka ndodhur më shumë se 20 vite më parë. Mendoj se liria e shtypit është fëmija jonë. Duke qenë një familje e mirë, ne natyrisht kujdesemi mjaft mirë edhe për fëmijën tonë. Sa i përket ligjit hungarez për median, ashtu siç është shprehur dhe nga Bashkimi Europian, ky ligj nuk përfaqëson ndonjë shkelje të lirisë së medias, por në fakt zgjidh një problem. Para zgjedhjeve të fundit parlamentare, sistemi mediatik hungarez ishte totalisht i paralizuar. Për një vit rresht drejtuesit e medias nuk kishin një udhëheqës, një drejtues të tyre. Televizioni publik hungarez nuk kishte drejtuesin e tij. Televizioni publik ishte mbushur me korrupsion duke kapërcyer ku e ku kufijtë e tij financiar dhe duke krijuar deficite shumë të mëdha. Duke qenë një udhëheqës i përgjegjshëm unë nuk mund ta toleroj e lejoj një situatë të tillë. Ndaj gjërat duhet të ecin në shtratin e tyre dhe rregullat duhen respektuar. Në rast se një godinë nuk është e ndërtuar mirë, atëherë ajo duhet rindërtuar. Dhe pikërisht kam bërë unë se bashku me shumicën parlamentare. Lidhur me debatin e fuqishëm që u bë në këtë drejtim, unë përfaqësova dhe mbrojta pozicionin hungarez në Bashkimin Europian. Që nga ajo kohë tani sundon paqja. Pra është vendosur paqja edhe në këtë fushë.
Kryeministri Berisha: Unë do ta shoh me shumë interes këtë ligj.
Pyetje: Zoti kryeministër Berisha, tashmë kanë kaluar katër javë dhe ende nuk kemi një rezultat për kryeqytetin, por finalja është sot. Kolegji Zgjedhor do të japë vendimin për rezultatin e Tiranës. A jeni ju i gatshëm të pranoni çdo lloj vendimi që do të japë Kolegji Zgjedhor?
Kryeministri Berisha: Para se t’i përgjigjem pyetjes tuaj dua t’i shpreh mikut tim vendimin për të botuar sa më shpejt fjalorin dygjuhësh të Prof. Ivan Schëartz si një kontribut të madh në fushën e gjuhësisë e mirëkuptimit ndërmjet dy vendeve tona. Ndonëse tradicionalisht ndër shekuj mungesa e këtij fjalori nuk ka penguar mirëkuptimin ndërmjet dy vendeve dhe kombeve tona.
Lidhur me pyetjen. Në Tiranë ishte një garë e ngushtë, por gara më transparente që vendi ka njohur. Garë në të cilën ju ndoqët numërimin e çdo vote nëpërmjet ekraneve tuaja. Çështja e votave në kutitë e tjera, numërimi i tyre është një çështje themelore ndërgjegjeje. Politikani, si çdo njeri, ka për detyrë të qëndrojë prapa bindjeve të ndërgjegjes së tij. kjo është praktika e vendeve të qytetëruara. Kjo është praktika e vendeve që kanë një traditë 200 vjeçare në zgjedhje dhe një sistem drejtësie më të fortin. Dhe mbi bazën e ligjit shqiptar, i cili në të gjitha përcaktimet e tij nuk i përfshin këto vota në vota të pavlefshme, ne kërkuam numërimin e tyre. Por ne themelin e çdo sistemi, ligji bazë është numërimi i çdo vote. Sot është një gjykim dhe nuk ka asnjë mëdyshje se shteti ligjor do të respektohet në çdo rast. Pra në qoftë se ne mbrojmë bindjet tona, bindja jonë më e thellë është se një shoqëri nuk mund të jetë e lirë pa funksionimin e shtetit ligjor. Kështu që ne qëndrojmë në respektimit të plotë të vendimit të institucioneve, edhe kur na pëlqejnë edhe kur nuk na pëlqejnë.
Pyetje: Zoti Orban, pas zgjedhjeve të 8 majit opozita në Shqipëri ka marrë një vendim për bojkotimin e Parlamentit. Si i keni parë ju këto zhvillime dhe si do të ndikojnë ato më tej?
Kryeministri Orban: Më lejoni ta ritheksoj se nuk dëshiroj të ndërhyj në këtë çështje. Në Hungari ne kemi pasur një rast, një histori interesante. Është kënaqësi për mua t’jua tregoj këtë histori. Bëhet fjalë për Kushtetutën e re që miratoi Parlamenti. Në zgjedhjet e fundit parlamentare partia ime fitoi 2/3 e Parlamentit dhe ne ishim në gjendje të bënim ndryshimet përkatëse e të miratonim një Kushtetutë të re. Opozita donte të na bllokonte në këtë nismë, por nuk kishin forcën e nevojshme për të na bllokuar në këtë drejtim. Atëherë ata vendosën që të mos merrnin pjesë në procesin e amendimit dhe miratimit të kësaj Kushtetute. Kështu që ata dolën nga Parlamenti, nuk morën pjesë në mbledhje apo takimet e ndryshme. Por në fund ne e miratuam këtë Kushtetutë dhe kryetari i Parlamentit thjesht nuk i pagoi deputetët e opozitës, meqenëse ata nuk kishin marrë pjesë në këtë drejtim. Kjo është historia hungareze në këtë drejtim, që unë desha t’jua tregoj ju.