Topalli-Orban: Anëtarësimi i Shqipërisë në BE është një interes i qartë i vetë Bashkimit Europian
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli priti dje në një takim kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orban. Gjatë këtij takimi Kryeministri Orban shprehu kënaqësinë, që në këtë rikthim pas 10 vitesh në Shqipëri, gjen transformime të jashtëzakonshme dhe investime hungareze shumë aktive. “Admirojmë arritjet tuaja dhe ju përgëzojmë për ambicjet kombëtare për anëtarësim në BE. Për ne, anëtarësimi i Shqipërisë në BE është një interes i qartë i vetë Bashkimit Europian”, - u shpreh Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban. Ndërsa kryetarja e Kuvendit, Topalli në fjalën e saj nënvizoi se “Shqipëria e ka ndjerë gjithmonë miqësinë dhe mbështetjen e Hungarisë duke shtuar se Hungaria ka përcjellë gjithnjë mesazhe shumë të qarta mbështetjeje ndaj vendit tonë dhe për këtë ju jemi shumë mirënjohës. “Jam shumë e kënaqur, që marrëdhëniet politike e veçanërisht ato parlamentare mes dy vendeve tona janë intensifikuar shumë. Pata kënaqësinë para pak kohësh të kem në vizitë zyrare Kryetarin e Parlamentit tuaj në vijim të vizitave të shumta reciproke në nivel Kryetarësh por edhe deputetësh dhe administratës”, u shpreh Kryetarja e Kuvendit, Topalli.Duke u ndalur në termat ekonomikë të zhvillimit, kryetarja e Kuvendit tha se rritja ekonomike prej 5 %, dixhitalizimi i procedurave për bizneset, klima e favorshme për investime kanë bërë që Shqipëria të shihet gjithnjë e më shumë si një vend atraktiv, jo vetëm për investime por edhe për turizëm. Më tej në këtë takim kryeparlamentarja Topalli dhe kryeministri hungarez, Orban u fokusuan edhe në shkëmbimin e përvojave konkrete politike e parlamentare të Hungarisë dhe Shqipërisë. Orban shprehu gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit për shkëmbimin e ideve dhe eksperiencave, për të bërë të mundur përshpejtimin e hapave të Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.
...