Kreu i PDK Ndoka Angazhimi yne kryesor transparenca e zgjedhjeve
Angazhimi në bllok i Opozitës së Bashkuar për hetimin e zgjedhjeve të kaluara parlamentare ka zhvendosur në periferinë e zhvillimeve politike një çështje përcaktuese për rezultatin, atë që ka të bëjë me bashkëpunimin e brendshëm. Edhe pse reagimet e para për çështjen e Kodit Zgjedhor kanë zgjuar rishtas shqisat e një konflikti të mirënjohur, pesha e një krize politike të përgjithshme e ka “nënrenditur” interesin partiak ndaj nevojës për rrëzimin e Sali Berishës. Lidhur me këtë çështje është zhvilluar një tryezë paraprake e partive të opozitës, në të cilën është rënë dakord për “përpunimin e një formule të bashkëpunimit elektoral”, por deri më tani asgjë konkrete nuk është prodhuar. “Ende nuk kemi diskutuar për çështjen e bashkëpunimit elektoral, sepse angazhimi kryesor është transparenca e zgjedhjeve dhe zbardhja e së vërtetës së 28 qershorit”, - deklaroi dje Nard Ndoka, kreu i Partisë Demokristiane. Përmes prononcimit të tij jepet një ide e bllokut opozitar, i cili aktualisht është unifikuar pranë Partisë Socialiste me synim përmbushjen e kauzës së transparencës. Por përtej këtij aksioni, që është thelbësor për opozitën, po aq përcaktues është edhe formula e bashkëpunimit elektoral, funksionalizimi i së cilës brenda logjikës së sistemit zgjedhor ka dhënë rezultate jetike edhe për ekzistencën e disa forcave politike. Kështu, është e qartë se viti 2009, pavarësisht kërkesës për transparencë, thjesht eliminoi nga skena parlamentare dhe deri diku edhe politike, forca të tëra që aktualisht shohin te rrëzimi i qeverisë së Sali Berishës shpresën e fundit për mbijetesë. Përveç kësaj arsyeje, që është në fakt dominuese te partitë e vogla, flet edhe raporti i tanishëm përfaqësues në pushtetin lokal, angazhimi për zgjedhje të parakohshme, por edhe simetria e problemit në kampin e djathtë. Kështu, edhe pse kundër Kodit ekzistues Zgjedhor, partitë e vogla të opozitës mbeten të lidhura me PS-në, si për shkak të interesit, ashtu edhe për shkak të shpresës së një zbatimi ndryshe të koniunkturës që dikton sistemi elektoral. Nga ana tjetër, nevoja e përcaktimit të formulës së bashkëpunimit të brendshëm ndërpartiak, diktohet në fazën kur flitet për zgjedhje lokale nga pesha specifike e secilit subjekt në njësitë vendore dhe harmonizimi i saj me tërësinë e produktit në shkallë vendi. Kështu, partitë tradicionale të majta si PSD apo PDS kanë një prani të hipotekuar në zona të caktuara, e për pasojë ato kanë siguruar një pozitë negocimi me PS-në. Me interes është nëse koalicioni aktual do të mbetet në këmbë edhe si koalicion elektoral, duke qenë se disa parti të vogla kanë reflekse kundërthënëse që burojnë nga interesat vetjake. “Nëse kjo qeveri nuk pranon transparencën, atëherë edhe degradimi i situatës, klima e përgjithshme do të vijë vetiu si logjikë e shtrirjes së krizës, çka çon në zgjedhje të parakohshme. Është e qartë se në këtë drejtim, mesazhet e komunitetit ndërkombëtar nuk kanë munguar dhe nuk do të mungojnë, sidomos për një çështje si ajo e komisionit hetimor, që është thelbësor për transparencën”, - tha Ndoka. Në sfond të kësaj ndarjeje pozitë-opozitë, qëndron gjithsesi ndarja e vjetër mes partive të mëdha dhe atyre të vogla dhe këtu si ilustrim mund të shërbejë edhe paralajmërimi i republikanëve pak kohë më parë për një dalje të vetëm në zgjedhje nëse një marrëveshje për kodin zgjedhor nuk do të arrihet.