E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kreu i PS: Nuk ka bashkim votash me LSI

Zhvillimet parlamentare

Lëvizja e koniunkturës parlamentare që u diktua nga projektligji për Shërbimin Informativ të Shtetit nuk ka ndryshuar asgjë sa u përket aleancave politike në vend. Sali Berisha, edhe pse është i vetëm në këtë nismë problematike të kundërshtuar publikisht dhe jopublikisht, nuk duket se rrezikon kohezionin e koalicionit qeverisës. Nëse deklarimet e kreut të Lëvizjes Socialiste për Integrim nuk mjaftojnë për të bindur rreth kësaj situate, atëherë qëndrimi i djeshëm i kreut të PS-së, Edi Rama, e konfirmon përfundimisht këtë gjë. “Ne nuk i bashkojmë votat me askënd. Ne votojmë ashtu siç e shohim të arsyeshme në bazë të parimeve dhe vlerave që na bëjnë të quhemi Partia Socialiste e Shqipërisë. Pastaj se kush janë të tjerët që mbajnë të njëjtin qëndrim, ky nuk është as problemi dhe as detyrimi ynë”, deklaroi Rama. Votimi në Kuvendin e Shqipërisë rreth draftit për SHISH-in është me sa duket një investim më i gjerë sesa vullneti politik i partive shqiptare dhe në kuptim të normës së stabilizuar në Shqipëri pas 2009-s, ai duhet parë si aksident. E thjeshtuar më shumë akoma, votimet alternative të LSI-së në Kuvend, që janë lexuar si çarje e koalicionit qeveritar, janë më shumë një distancim nga projektet problematike dhe karakteristike për Berishën, pa mohuar një proces negocimi të brendshëm në këtë drejtim. Ky kuadër, që ka kompromentuar të gjithë perceptimin mbi marrëdhëniet politike, është qartësuar dje nga Rama, i cili ka rikonfirmuar distancën e thellë që e ndan atë me LSI-në.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›