Shqipëria e Berishës, piramidë ekonomike
Negociatat e nisura rreth krizës politike do të japin një produkt konkret. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka theksuar dje në bashkëbisedimin e tij me gazetarët, se dështimi i dy raundeve të parë, edhe pse u përcollën si sinjale jo pozitive, nuk kanë lëkundur vullnetin e opozitës në kërkesën e vet për transparencën e 28 qershorit. Kjo mund të vërtetohet nga ajo që Rama e cilësoi si “taktika e zvarritjes” që Kryeministri Sali Berisha ka zgjedhur për mbajtjen e gjendjes ekzistuese dhe shtyrjen pa afat të trajtimit të problemit politik që lidhet me zgjedhjet e shkuara. “E gënjen mendja Sali Berishën! E gënjen mendja këtë pushtet! Se do ta zvarrisë çështjen e krizës politike që kërkon zgjidhje duke e lënë pa zgjidhje. Dhe duke e lënë mendja e duke menduar se zgjidhja është te shtyrja sa më shumë e transparencës... unë dua të them thjesht dhe qartë: receta e zgjedhur nga doktori për sa i takon transparencës duke zvarritur transparencën, është po aq e kundërefektshme se sa receta e zgjedhur për sëmundjen e ekonomisë që shkon duke u thelluar. Përgjegjësinë në të dyja rastet do ta mbajë doktori”, deklaroi kreu i PS-së. Ai ka rikthyer në vëmendje çështjen e krizës politike, e cila dy ditët e fundit ka kaluar në plan të dytë, për shkak të zhvillimeve të tjera, si vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë apo edhe procedimi i papritur parlamentar i draftit ligjor për Shërbimin Informativ të Shtetit. Pa dhënë ndonjë shenjë për sa i përket përmbajtjes së negociatave apo situatës së krijuar me çështjen e fletëve të votimit, Edi Rama gjithsesi ka nënvizuar se angazhimi socialist në këtë drejtim mbetet konstant. Si i tillë ai përkufizon rifillimin e debateve për transparencën në kuptimin e ritmit politik ditor që u la mënjanë nga ngjarje të tjera me rëndësi. Në kontekstin e negociatave, qëndrimi i kreut të PS-së zbulon bllokimin e situatës në çështjen e fletëve të votimit, duke qenë se insistimi për to ka qenë që në fillim pjesë thelbësore e deklarimeve të tij.
Situata ekonomike: Berisha po riciklon piramidatNëse debati politik ka fituar një mundësi përmes fillimit të negociatave, diskutimi publik për ekonominë mbetet në një kuadër që ndahet thellësisht në pikëpamjet e artikuluara. Përballë qeverisë që këmbëngul për normalitet dhe ritme rritjeje, opozita socialiste, për sa i përket ekonomisë, lexon vetëm një realitet: krizë e plotë. Dhe lidhur me këtë të fundit prononcimi i Edi Ramës është shpeshtuar gjithnjë e më shumë duke harmonizuar interpretimin e shifrave apo raporteve ndërkombëtare me nevojën e thjeshtimit të mesazhit politik për opinionin. Borxhi publik ka fituar në këtë kuptim një fytyrë të re në interpretimin e kreut socialist, i cili duke iu referuar FMN-së ka paralajmëruar shqiptarët se situata prezanton një skemë piramidale shumë të gjerë. “Në kuptimin më të thjeshtë të fjalës, qeveria në fakt ka nënkontraktuar borxhin publik. Ka gjetur një zgjidhje origjinale si puna e piramidave për ta përballuar përgjegjësinë ndaj borxhit dhe detyrimet financiare që ka ndaj të tretëve. Borxhin afatmesëm ua ka lënë në kurriz të gjitha sipërmarrjeve vendase që kanë kontrata me shtetin, duke iu thënë “mbajeni se unë s’kam lekë”. Borxhin afatgjatë ua ka lënë në kurriz të gjithë shqiptarëve dhe në radhë të parë fëmijëve të këtij vendi. Ndonëse në dukje kjo ngjan si e qëndrueshme, në fakt ky është i njëjti kurs filozofikisht si ai i kursit që çoi në ndërtimin dhe pastaj rrënimin e piramidave financiare...”, tha Rama. Finalja logjike e këtij kursi që siguron arritje spektakolare në fillimet e veta është thuajse i njëjti me aventurën e piramidave, finale të cilën kreu socialist nuk ka hezituar ta ripërkufizojë si një fjalë të vetme: falimentim. “...Sot jemi në kushtet e kolapsit, për shkak se strukturalisht po ezaurohet një model zhvillimi ekonomik, rritje ekstensive pa punësim, korrupsion i kudondodhur pa efektshmëri të shtetit”, theksoi drejtuesi kryesor i opozitës shqiptare.
#