Kreu i PS, Rama, tur diplomatik në Strasburg
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, pritet të udhëtojë në mesin e javës drejt Strasburgut. Burimet nga selia rozë thanë se kjo vizitë ka si synim lobimin në kuadër të zgjidhjes së krizës politike në vend. Mësohet se atje Rama do të kryejë takime të ndryshme me funksionarë europianë në kërkim të mbështetjes për kauzën e hapjes së kutive të votimit dhe transparencës së zgjedhjeve. Burimet konfidenciale thonë se Rama ka pasur një plan për të udhëtuar edhe drejt Brukselit, por mësohet se vizita e komisionerit europian për zgjerimin dhe fqinjësinë e mirë, Stefan Fule, në Tiranë ka ndryshuar axhendën. Fule pritet që në orët e qëndrimit në kryeqytetin shqiptar të bashkëbisedojë edhe me liderin e opozitës dhe rrjedhimisht suprimon një vizitë të mundshme të Ramës në Bruksel. Axhenda e kreut socialist nuk do të mbarojë me kaq, pasi në fillim të kësaj jave do të përcaktohet edhe data e takimit të internacionales socialiste. Mbledhja pritet të zhvillohet në kryeqytetin shqiptar dhe mendohet të ketë një rëndësi të madhe për socialistët në betejën e tyre përballë mazhorancës. Pak kohë më parë, Rama kreu një tjetër tur ndërkombëtar në përpjekjen e tij për të ndërkombëtarizuar çështjen e hapjes së kutive. Burimet thonë se ajo çka do të kërkojë Rama në takimet me ndërkombëtarët është ushtrimi i presionit ndaj mazhorancës për të lëshuar në raport me kërkesën e opozitës për hetimin e pakufizuar parlamentar të zgjedhjeve. Rama do të shfrytëzojë faktin se opozita i dha fund bojkotit, duke bërë betimin në Parlament dhe duke depozituar dy nisma ligjore, në përputhje edhe me të gjitha rekomandimet e ndërkombëtarëve. Në një situatë të tillë ai do të kërkojë rritjen e presionit ndaj mazhorancës, që edhe ajo të bëjë lëshimet e saj. Një tur i tillë i kreut socialist vjen në një moment kur nismat e opozitës po shqyrtohen në komisionet parlamentare. Në seancën e datës 18 mars është planifikuar diskutimi dhe më pas miratimi i ngritjes së komisionit hetimor parlamentar për zgjedhjet e 28 qershorit.
#