E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kreu i SHISH me mandat të kufizuar

11/03/2010 Komisioni i Ligjeve miraton ndryshimet e ligjit. Drejtori Shaqiri paraqet 8 amendamente

Ligji antimafie i shkon Shërbimit Informativ, do të “kujdeset” edhe për pastrimin e parave

Komisioni parlamentar i Ligjeve miratoi të gjitha ndryshimet e propozuara nga Qeveria dhe me konsensusin e SHISH-it në ligjin “Për Shërbimin Informativ Shtetëror”. Komisioni la të paprekur propozimin për kufizimin në 5 vjet të mandatit të drejtorit të SHISH-it, si dhe përcaktoi një mandat të njëjtë edhe për zëvendësin e tij. Pas hyrjes në fuqi të ligjit antimafie, ky institucion do të ketë si detyrë, me ndryshimet e fundit, edhe mbledhjen e informacionit që i shërben zbulimit apo parandalimit të pastrimit të parave apo korrupsionit të personave që ushtrojnë funksione publike, kur ky korrupsion cenon sigurimin kombëtar. Ligji për SHISH-in ndryshoi si nevojë e përshtatjes së legjislacionit me kushtet e reja për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Amendamentet

Drejtori aktual i SHISH-it, Bahri Shaqiri, paraqiti pranë komisionit të Ligjeve tetë propozime për ndryshimin e ligjit, ku më të rëndësishmet kanë të bëjnë me fushat e veprimtarisë së SHISH-it brenda dhe jashtë vendit. “Kryerjen e veprimtarisë së zbulimit jashtë vendit, që do të thotë se në kushte të reja SHISH-i mund të kryejë veprime të specializuara tekniko-informative edhe jashtë territorit të vendit; kryerjen e veprimtarive të kundërzbulimit brenda vendit; mbledhjen e informacionit mbi terrorizmin edhe për individë, grupe dhe organizata që i mbështesin dhe i financojnë ata; mbledhjen e informacionit për krimin e organizuar, korrupsionin, kontrabandën, pastrimin e parave dhe të gjithë llojet e trafikimit të paligjshëm”, tha Shaqiri. Ai ka kërkuar gjithashtu garanci përmes ligjit për operacione që SHISH-i i kryen përmes strukturave ilegale. “Mbrojtja e sigurisë së veprimtarisë së SHISH-it, duke shtuar mbrojtjen e operacioneve që realizohen edhe nga struktura ilegale, të objekteve dhe pajisjeve që kanë të bëjnë me veprimet informative-operative të SHISH-it. Për realizimin e kësaj detyre, rregullat dhe procedurat të propozohen nga drejtori i SHISH-it dhe të miratohen nga Kryeministri. Kjo do të ndihmonte jo vetëm në sigurinë e realizimit të detyrave nga punonjësit e SHISH-it, por edhe në kontrollin efikas të tyre gjatë kësaj veprimtarie”, kërkoi ai. Kreu i SHISH-it nënkuptoi se kishte rezerva ndaj projektit, të cilat ia prezantoi komisionit jashtë vëmendjes së mediave. Ndryshimet në ligjin për Shërbimin Informativ Shtetëror janë kundërshtuar ashpër nga Partia Socialiste.

Mandati

Brenda 60 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, drejtori dhe zv/drejtori i SHISH-it janë dy poste që do të hyjnë në procedura emërim. Drejtuesit e rinj ose këta aktualë do të nisin punën e tyre me mandat të përcaktuar 5-vjeçar, me të drejtë riemërimi vetëm një herë. Vetëm zv/drejtori i SHISH-it këtë herë të parë do të ketë një mandat 3-vjeçar. Drejtori dhe zv/drejtori emërohen dhe shkarkohen nga Presidenti i Republikës, me propozim të Kryeministrit.

Shkëmbimi

Në përmbushje të detyrave, SHISH-i e vë informacionin e nevojshëm në dispozicion të organeve të Policisë së Shtetit apo agjencive të tjera të zbatimit të ligjit, sipas kompetencës dhe pa cenuar veprimtarinë e tij. SHISH-i informon institucionet kompetente edhe kur çmon se informacioni në dispozicion të tij është i nevojshëm për zbulimin ose parandalimin e veprave penale dhe kur kjo nuk cenon veprimtarinë e tij.

Informimi

Punonjësit e SHISH-it, për përmbushjen e detyrave në funksion të sigurimit kombëtar, kërkojnë informacion nga autoritetet shtetërore, qendrore ose lokale dhe nga personat

fizikë e juridikë, përfshirë dhe shfrytëzimin e regjistrave, bazave të të dhënave, dokumentacionit zyrtar etj. Drejtuesit dhe punonjësit e autoriteteve shtetërore, personat juridikë dhe fizikë përmbushin kërkesat e punonjësve të autorizuar nga drejtori i SHISH-it.

Detyrat e SHISH

Mbledh informacion dhe kryen veprimtari zbulimi për aktivitetet që zhvillohen jashtë vendit, në funksion të sigurimit kombëtar, për ruajtjen e integritetit, të pavarësisë e të rendit kushtetues; për terrorizmin, për individë, grupe apo organizata që mbështesin e financojnë atë; për prodhimin, trafikimin e armëve, lëndëve narkotike e qenieve njerëzore, si dhe krimeve kundër mjedisit; mbron sigurinë e veprimtarisë së vet etj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›