Kreu i SHISH, në dorë të Presidentit
Drafti i ri për Shërbimin Sekret Shqiptar, i cili ngjalli polemika ende pa dalë mirë, nëse do të bëhet ligj, pritet të shqyrtohet me vëmendje nga institucioni i kreut të shtetit, ngaqë SHISH është një institucion mjaft i rëndësishëm dhe ka varësi të dyfishtë si nga Presidenti, ashtu edhe nga Kryeministri. Burime zyrtare bënë të ditur se juristët e qeverisë gjatë hartimit të draftit që i përcakton një mandat 5-vjeçar drejtorit të Shërbimit Informativ Kombëtar, kanë bërë kujdes që ta blindojnë atë juridikisht në mënyrë që hallkat e tjera që kalojnë në sitë draftin të mos e kontestojnë nga ana ligjore. Gjithë meraku i ekspertëve të Kryeministrisë nuk ka qenë shumë Kuvendi, ku pritet të miratohet pa probleme, por Presidenca dhe në një rast të mundshëm Gjykata Kushtetuese, nëse një subjekt ligjor mund ta ankimojë draftin e fundit që është kundërshtuar nga opozita dhe disa ekspertë të pavarur. Siç mësohet gjatë shqyrtimit nga juristët e Presidencës, ku ligji do të kalojë për t’u dërguar më pas te Kreu i Shtetit për dekretim, nuk do të ketë probleme ajo pjesë që shton kompetencat e institucionit, por kryesisht pjesa e mandatit të drejtuesit. Presidenti gjatë dekretimit të ligjeve të rëndësishme, ka krijuar traditën e një konsultimi të gjerë me ekspertë të fushës, e më pas vendos për dekretimin e tij. Drafti i ri nuk flet për zëvendësimin automatik të drejtorit aktual të SHISH, por ekspertët theksojnë se ky aspekt mund të zgjidhet në Kuvend gjatë diskutimeve, me anë të një dispozite kalimtare. Tri ditë më parë, qeveria shqiptare miratoi një ndryshim në ligjin aktual për Shërbimin Informativ Shtetëror, i cili konsiston në limitimin e mandatit të drejtorit që bëhet 5 vjet me vetëm një herë riemërimi. Gjatë mbledhjes së qeverisë, Kryeministri Berisha deklaroi se “nuk ekziston në asnjë vend të lirë, drejtor apo zëvendësdrejtor, pa mandat të caktuar. Për më tepër kur në disa aspekte ligji e barazon me ministrin. Mandati 5-vjeçar me të drejtë përsëritjeje një herë është propozuar për të dy, si për drejtorin, ashtu edhe për zëvendësin”.
#