Kreu i Shoqatës Shqipëri-Izrael: Kurioz edhe unë për Mein Campf
Ditën e shtunë pritet të mblidhet kryesia e Shoqatës.
Kryetari i Shoqatës Shqipëri-Izrael jep mendimin personal mbi Mein Kampf
Nuk jam për mohimin e botimit të librit. Kështu thotë Petrit Zorba, kryetari i Shoqatës së Miqësisë Shqipëri-Izrael, në lidhje me librin Mein Kampf (Lufta ime) të Adolf Hitlerit botuar këto ditë nga shtëpia botuese Belina H. Pas publikimit të lajmit për botimin e këtij libri, një nga përfaqësuesit e Shoqatës së Miqësisë Shqipëri-Izrael, historiani Apostol Kotani u shpreh për mediat se kryesia e kësaj Shoqate po mendon ta padisë botuesin e Mein Kampf, pasi ai fyen popullin hebre. Ndërkohë, sipas kryetarit të kësaj shoqate, kryesia ende nuk është mbledhur dhe ende nuk është vendosur se si do të veprohet. Profesor Apostoli ka shprehur mendimin e tij personal në lidhje me këtë çështje. Se si do të veprohet më tej, nuk e vendos një njeri i vetëm, as unë që jam kryetari i Shoqatës. Ditën e shtunë do të mblidhet kryesia e do të diskutojmë edhe mbi këtë botim, thotë Zorba, sipas të cilit duhet të jenë institucionet përkatëse shtetërore që duhet të merren me këtë problem.
Intelektuali

Kopertinba e librit
Sa i përket qëndrimit të tij personal, si një intelektual, ai thotë se është i hapur kundrejt të gjitha botimeve, por në rastin konkret duhej bërë kujdes në mënyrën e servirjes së tij ndaj lexuesit. I gjithë ky debat i shërben publicitetit të librit. Kushdo që ka dëgjuar këto ditë të flitet për të, i shtyrë nga kureshtja është drejtuar nëpër librari për ta parë apo blerë atë. Edhe unë vetë u bëra kurioz dhe u drejtova në librari, thotë Zorba. Por ai shton se botimi i një libri të tillë, por dhe i librave të tjerë të ngjashëm, duhet të ishte më i serioz. Siç e dimë, libri është botuar në shumë vende të tjera të botës. Në një vend demokratik, ai nuk duhet të përbëjë problem, por duhet të jetë gjithnjë i shoqëruar me një parathënie shkencore, të përgatitur nga institucionet kompetente, si Instituti i Historisë etj. Pasi një lexues i kultivuar nuk e ka të vështirë të distancohet nga mesazhi i librit, por duhet marrë parasysh edhe një kategori tjetër lexuesish, të cilët kanë nevojë të informohen mbi tragjedinë që ka shkaktuar përmbajtja e këtij libri, thotë kryetari i Shoqatës së Miqësisë Shqipëri-Izrael, Petrit Zorba. Askujt nuk mund ti mohohet e drejta e informimit dhe, në këtë drejtim, unë jam pro botimit të librave, thotë ai, duke shtuar se sigurisht librat duhet të botohen, duke respektuar të gjitha detyrimet përkatëse. Me sa kam dëgjuar, ky libër është botuar pa të drejtat e autorit, të cilat i zotëron Landi i Bavarisë. Pa paragjykuar botuesin, që ka hedhur në treg këtë vepër, ai libër është pirat dhe për raste të tilla ekziston një legjislacion, ndaj botuesi duhet të mbajë përgjegjësi juridike, thotë Zorba, teksa shton nga pozitat e një njeriu që ka eksperiencë në fushën e botimeve, se shtëpitë botuese tashmë i kanë fare mirë të qarta rregullat e lojës. Pavarësisht se vendimin për dërgimin e kësaj çështjeje në Gjykatë e ka kryesia e Shoqatës, nga pozitat personale, kryetari i saj duket se nuk do ta çonte problemin deri aty, pra të padiste shtëpinë botuese Belina H për fyerje të popullit hebre apo për nxitje të urrejtjes racore, etnike, fetare, për të cilën ka edhe dy nene në Kodin Penal (265, 266). Ky i fundit parashikon një penalizim me gjobë e, nëse gjykata e vlerëson të arsyeshme, deri në 10 vjet heqje lirie. Gjithnjë nga pozitat e tij personale, Zorba e konsideron gjithë këtë debat si një zhurmë, në një kohë kur ka shumë gjëra të tjera për të cilat ia vlen të diskutohet.
Edmond Tupja
I pyetur nga Mustafa Nano për revistën Mapo se çmendim ka ai mbi botimin në shqip të Mein Kampf, përkthyesi dhe publicisti Edmond Tupja shprehet: Përderisa veprat e Stalinit, të Mao Ce Dunit dhe të Enver Hoxhës janë përkthyer në gjuhë të ndryshme, pse jo edhe Mein Kampf-i në gjuhën tonë?.
Besnik Mustafaj
Shkrimtari Besnik Mustafaj është ndër të paktët intelektualë që i shprehen negativisht pyetjes së Mustafa Nanos mbi Mein Kampf. Unë jam kundër nxjerrjes së plehrave të historisë në pazarin e paqtuar më në fund të kohës sonë. Më tmerron zelli i Hitlerit për të mbjellë urrejtje vrastare midis njerëzve, është shprehur ai.
Moikom Zeqo
Për shkrimtarin Moikom Zeqo, askënd nuk mund të ndalosh të lexojë Mein Kampf. E kam lexuar para shumë vitesh. Atë që dëshiron, nuk e ndalon askush ta lexojë në të gjitha gjuhët e përkthyera. Është doktrina më mediokre dhe socialraciste, një ligjërim patologjik dhe mesianik, që i kushtoi frikshëm historisë botërore.
Apostol Kotani
Si një historian, që prej vitesh i është kushtuar trajtimit të historisë së marrëdhënieve shqiptaro-izraelite, Apostol Kotani është ndier i prekur nga botimi i Mein Kampf në shqip. Ditën e martë, ai u shpreh për mediat se botimi në shqip i këtij libri është fyerje për popullin hebre. Historiani Kotani, i cili është një nga themeluesit e Shoqatës së Miqësisë Shqipëri-Izrael, hodhi idenë që kjo çështje të çohet në Gjykatë.
Misha: Ka botime edhe më të rrezikshme
Në vendin tonë janë botuar libra edhe më të rrezikshëm, thotë botuesi e publicisti Pirro Misha për botimin e Mein Kampf. Botimi i Mein Kampf është tërësisht i padobishëm për Shqipërinë. Kjo është më shumë një çështje ligjore. Në vende të tjera të botës, si në Francë, kjo çështje është zgjidhur me gjyq dhe botimi atje tashmë lejohet me anë të një parathënieje të detajuar. Në vende demokratike janë bazë dy parime: të mos lejojë nxitjen e urrejtjes raciale, etnike, fetare dhe të garantojë lirinë e shtypit e të botimit. Misha ndalet aty ku i dhemb më shumë, tek kaosi në botime dhe këtë libër e quan pasqyrim të pastër të tij. Nuk duhet të botohen libra pa të drejtën e autorit. Në raste shkeljesh, shteti duhet të ndërhyjë për respektimin e ligjeve të veta. Në të kundërt, kushdo mund të botojë çtë dojë. Për librin në fjalë, të drejtat e autorit i gëzon Landi i Bavarisë. Është gati e pamundur të marrësh të drejtat e autorit, por, edhe nëse ndodh, kushti i tyre është që botimi të shoqërohet nga një parathënie e gjatë mbi librin. Sipas tij, botimi i Mein kampf nuk është i veçuar. Do tju përmendja Protokollin e Pleqësisë së Sionit, i botuar gati një vit më parë nga botues maqedonas dhe për të nuk u fol fare. Ky është një libër shumë herë më i rrezikshëm. Një libër që nxit urrejtjen kundër popullsisë hebraike, i përhapur në një pjesë të madhe të botës arabe. Një tjetër libër i këtij lloji, i botuar po nga botues maqedonas, është Komploti i madh, i cili deri para dy vjetësh i rekomandohej Drejtorisë Arsimore për tu përfshirë në listat e librave që duheshin lexuar në shkollat e mesme.
Penalizohet Beqir Haluli 100 mijë lekë gjobë për librin
Zyra e të Drejtave të Autorit gjobit shtëpinë botuese Belina H