E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ngec bulevardi në Vlorë, bllokohen tri herë punimet

Punimet e kryera në bulevardin e Vlorës

Cilësia e dobët, shkaku i fundit për pezullimin.

Punimet për shtrimin e rreth 2 km bulevard dhe trotuare nga Sheshi i Flamurit në zonën e Skelës janë pezulluar për të tretën herë, duke sjellë shqetësim për qytetarët. Prej tetë muajsh, mbi bulevard janë të hedhura rërë, pllaka e materiale të tjera që shërbejnë për ndërtimin e këtij bulevardi, por çuditërisht gjithçka ka mbetur në vend. Në muajin qershor të vitit 2011, Bashkia e Vlorës me një investim prej 66 milionë lekësh filloi punën për rikonstruksionin e bulevardit nga Skela deri tek Sheshi i Flamurit. Tenderin për rikonstruksionin e bulevardit, si dhe të trotuareve në të dy krahët e fitoi një firmë rikonstruksioni nga Fieri. 20 ditë pas fillimit të punimeve, ato u ndërprenë. Sipas Bashkisë, por edhe burime nga firma që fitoi tenderin për rikonstruksionin e bulevardit, punimet u ndërprenë për shkak të zgjedhjeve lokale. Investimi i Bashkisë do ti shërbente fushatës së zgjedhjeve lokale, ku kreu i Bashkisë, Shpëtim Gjika, do të rikandidonte në këtë post. Më pas, punimet u ndërprenë sërish, ndërsa si shkak u argumentua kulmi i sezonit turistik. Punimet do të ndikonin në vështirësi të qarkullimit rrugor, pasi mjetet në sezonin veror dyfishohen nga turistët e shumtë. Pas tre muajsh ndërprerjeje, firma rifilloi punimet, por një muaj më vonë ato u ndërprenë sërish. Në fund të dhjetorit, pasi ishte shtruar rreth 1 km asfalt dhe një pjesë e konsiderueshme e trotuareve, punimet u ndërprenë përsëri. Këtë radhë shkak është bërë nxjerrja e një urdhri nga Bashkia, e cila pas inspektimit të punimeve konstatoi shkelje të kontratës dhe kryerjen e punimeve me cilësi të dobët nga firma përkatëse. Punimet janë ndërprerë për të tretën herë, për shkak të cilësisë së dobët të kryer nga firma ndërtuese. Specialistë të Bashkisë së Vlorës pezulluan punimet dhe firma do të detyrohet të kryejë përmirësimet e duhura. Grupi i ekspertëve konstatoi cilësi të dobët të asfaltit të shtruar, pasi trashësia e përcaktuar e asfaltit ishte nën nivelin e duhur, ndërsa shtrimi i asfaltit është kryer në kushte jo të përshtatshme. Në shtrimin e dy anëve të trotuareve janë konstatuar parregullsi në vendosjen e pllakave dhe me cilësi të dobët, bënë të ditur burime nga Bashkia. Tashmë firma që ka kryer punimet, duhet ti rikthehet nga e para. Por kjo mund ti rëndojë buxhetit të Bashkisë. Një fond i tillë u rishqyrtua edhe në mbledhjen e Këshillit të Bashkisë pak ditë më parë. Cilësia e punimeve është mjaft e keqe, ndërsa ne kemi gati një vit që nuk qarkullojmë dot lirisht, as si këmbësorë dhe as me makina, u shpreh një banor i Vlorës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›