Incidenti me Ndrecën, të pyetet Rusmali

Gjergj Ndreca
TIRANE – Prokuroria e Tiranës ia delegoi policisë dosjet penale në ngarkim të të përndjekurit politik, Gjergj Ndreca. Me anë të dy shkresave përcjellëse, dosjet penale ndaj të akuzuarit për goditjen e deputetit Ilir Rusmali dhe avokatit Agim Tirana janë dërguar në Komisariatin Nr.1 të Policisë së Tiranës. Lajmi është bërë i ditur nga burimet e grupit të hetimit, të cilat kanë pohuar se dosja është dërguar në polici për kryerjen e veprimeve të nevojshme, që kanë të bëjnë me akuzën e “goditjes dhe fyerjes për shkak të detyrës”, ngritur ndaj shtetasit Gjergj Ndreca. Burimet nga hetimi thanë se një nga detyrat që i është lënë Policisë Gjyqësore të Komisariatit Nr.1, është edhe pyetja e deputetit Ilir Rusmali. Më 16 shkurt 2012, teksa hynte në sallën e Parlamentit për seancën plenare, Rusmali u qëllua me grusht në fytyrë në pjesën e faqes nga i përndjekuri Gjergj Ndreca. Sipas Prokurorisë, Rusmali nuk bëri padi, por nuk paraqiti as raport mjekoligjor në lidhje me dëmtimet fizike të pësuara. “Nga hetimet e deritanishme ka rezultuar se shtetasi Gjergj Ndreca nuk ka probleme personale me z.Rusmali apo avokatin Agim Tirana, për këtë arsye është ngritur akuza e goditjes dhe fyerjes për shkak të detyrës”, thanë burimet e Prokurorisë. Sipas tyre, në rast se për rrahjen e avokatit Agim Tirana ka një raport mjekoligjor dhe një dëshmi të dhënë nga i dëmtuari, për rastin e Rusmalit nuk ka prova të tilla. Për rrjedhojë, në delegimin e dosjes penale në polici, Prokuroria ka kërkuar që hetuesit të marrin në pyetje deputetin Rusmali për të mësuar versionin e tij në lidhje me ngjarjen e ndodhur më 16 shkurt. Ndonëse u qëllua në fytyrë sapo zbriti nga makina e tij zyrtare, kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali, nuk bëri padi në polici ndaj të përndjekurit politik. Çështja penale u hap me iniciativën e policisë, e cila kishte shërbimet e saj në vendin e ngjarjes në kuadër të masave të sigurisë për seancën plenare në Parlament. Ishin këto shërbime të policisë, që konstatuan veprën penale dhe referuan më pas në polici dosjen përkatëse dhe materialet e ndalimit në flagrancë të Gjergj Ndrecës.
Problemet pas intervistës
Tri ditë më parë, i përndjekuri politik Gjergj Ndreca dha një intervistë ekskluzive në gazetën “Panorama”, ku paralajmëroi se do të sulmojë edhe ministra apo deputetë të tjerë. Duke iu referuar çështjes së të përndjekurve politikë, një problem ende i pazgjidhur në vend, Ndreca paralajmëroi sulme të tjera. Kjo intervistë u bë shkak për shoqërimin e tij në polici.