E Diel, 1 Nëntor 2026

Kaloi 25 kg heroinë në Itali, arrestohet

DURRES – Kaloi nga Shqipëria në drejtim të Italisë në vitin 2003 rreth 25 kg heroinë, arrestohet pas nëntë vitesh për llogari të shtetit italian 30-vjeçari nga Shijaku. Sektori kundër Narkotikëve në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me kolegët e tyre pranë Drejtorisë së Policisë Durrës, arritën të finalizojnë me sukses një aksion për kapjen e një personi që kërkohet nga Policia italiane. Burime zyrtare nga Policia thanë se është arrestuar shtetasi Alfred Çalliku, 30 vjeç, banues në Shijak, i dënuar më parë për armëmbajtje pa leje. Sipas Policisë, arrestimi i 30-vjeçarit është bërë për arsye se rreth 9 vite më parë ka kaluar një sasi të konsiderueshme lënde narkotike të fortë nga Shqipëria në Itali. Çalliku është shpallur në kërkim më datë 22.02.2012 nga autoritetet e Drejtësisë italiane, pasi Gjykata e Milanos, me vendim të datës 26.05.2009, e ka dënuar me 13 vjet e 6 muaj burg. Agjentët e Antidrogës së Milanos, pas një pune disavjeçare, kanë bërë të mundur dokumentimin e provave të pakundërshtueshme, se 30-vjeçari nga Shijaku, i ndihmuar edhe nga shokët e tij të punës, kanë futur lëndë narkotike të fortë të llojit heroinë në shtetin italian. Policia tha zyrtarisht se ndaj 30-vjeçarit nga Shijaku është dokumentuar fakti se duke filluar nga data 17.02.2003 deri më datë 13.04.2003, në bashkëpunim me persona të tjerë, ka trafikuar nga Shqipëria drejt Italisë rreth 25 kg lëndë narkotike të llojit heroinë. Mësohet se Çalliku është dënuar nga Gjykata e Milanos në mungesë, pasi ai kishte mundur të largohej nga Italia në kohën që bashkëpunëtorët e tjerë janë arrestuar nga Policia e këtij vendi. Arrestimi i 30-vjeçarit u bë i mundur vetëm gjatë orëve të paradites së djeshme. Aksioni për kapjen e 30-vjeçarit ka zgjatur rreth 30 minuta, ndërsa mësohet se ai nuk ka bërë rezistencë, pasi është kapur në befasi.                  l.m

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›