Velipojë, Inspektorati i Ndërtimit prish objektet pa leje

Aksioni në Velipojë
SHKODER Një aksion për prishjen e 40 objekteve pa leje në komunën e Velipojës po zhvillohet nga Inspektorati Ndërtimor Urbanistik. Ky Inspektorat ka përcaktuar procedurat për ndërtimet pa leje në zonën turistike, në territorin e komunës Velipojë. Inspektorati Ndërtimor Urbanistik Vendor (INUV) i komunës Velipojë, pas verifikimit të dokumentacionit dhe verifikimeve në terren, në zbatim të ligjit, mbështetur nga ai Kombëtar, po ndërhyn prej disa ditësh për prishjen e rreth 40 ndërtimeve pa leje. Aksioni mësohet se po realizohet në bashkëpunim me komunën e Velipojës, e cila është shprehur me vendim të Këshillit të komunës dhe me mbështetjen e Policisë së rendit në Shkodër. Aktualisht po punohet për lirimin e territoreve të rrugëve brenda zonës turistike të komunës Velipojë. INUK me një plan konkret veprimesh paralajmëron lirimin e gjithë zonës bregdetare nga ndërtimet e paligjshme. Për INUK është e rëndësishme të sigurohet kudo zbatimi i ligjit, sidomos në zonat në të cilat në muajt e ardhshëm pritet të fillojë sezoni turistik, siç është komuna e Velipojës, deklaroi kryeinspektori i INUK, Gazmend Osmani. Sipas tij, verifikime e, në rast nevoje edhe ndërhyrje të njëjta, do të ketë në ditët e javët e ardhshme në çdo zonë, ku njësitë vendore dhe autoritetet e tjera vendore kanë konstatuar ndërtime që vijnë në kundërshtim me ligjet në fuqi. INUK edhe një herë garanton çdo njësi vendore, çdo ent publik dhe çdo qytetar se është i vendosur të zbatohet me korrektësi ligji dhe për arritjen e këtij synimi ofron mbështetjen e plotë për të gjitha institucionet e varësisë në të gjithë vendin dhe bashkëpunim për të vënë para drejtësisë të gjithë kundërvajtësit e ligjit, u shpreh Osmani.