E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kreu i Tatimeve mungon në seancën e kërkesës për gjykim

Autori i Lajmit: Ornela Manjani
Kreu i Tatimeve, Arben Sefgjini, nuk është paraqitur dje në seancën gjyqësore në ngarkim të tij. I pranishëm në çdo seancë të mëparshme, numri një i tatimeve nuk është paraqitur dje, pikërisht në ditën kur prokurori Xhevat Hana ka njohur trupin gjykues dhe palët me kërkesën për gjykim. Janë lexuar akuzat dhe rindërtuar ngjarja, si dhe janë zbuluar emrat e disa prej 102 dëshmitarëve që do të dëshmojnë në këtë proces, por në sallën e gjyqit ishtë vetëm një prej katër të akuzuarve për zhdukjen e biznesmenit Remzi Hoxha, Avni Koldashi. Sefgjini është përfaqësuer në seancë nga mbrojtësi i tij, i cili, në fillim të seancës kërkoi dhe një herë që Gjykata e Krimeve të Rënda të shpallë inkompetencë dhe dosjen ta dërgojë në Lezhë, atje ku ka ndodhur ngjarja.
Seanca
Nuk është paraqitur në seancën e radhës në Gjykatën e Krimeve të Rënda kreu i Tatimeve, Arben Sefgjini, por seanca është zhvilluar dhe është lexuar kërkesa për gjykim. Në fillim të seancës, gjykata rrëzoi kërkesën e avokatit mbrojtës të Sefgjinit, i cili kërkoi pushimin e veprës penale të rrëmbimit ndaj klientit të tij, me arsyetimin se kjo vepër është amnistuar. Gjykata u shpreh se vepra nuk është amnistuar në asnjë kohë. Po gjatë seancës së djeshme, dy ekspertët mjekoligjorë iu përgjigjën kërkesës së gjykatës për të përcaktuar gjendjen shëndetësore të të pandehurit Budjon Meçe, duke e konsideruar tepër të rëndë dhe jo të përgjegjshëm për zhvillimin e procesit penal ndaj tij. Në këto kushte, gjykata vendosi ndarjen e procedimit disiplinor dhe pezullimin e çështjes për Budjon Meçen. Ndërsa avokati mbrojtës i Avni Koldashit argumentoi se klienti i tij nuk ka marrë pjesë në torturimin e biznesmenit shqiptaro- maqedonas, vetëm ka bërë shoqërimin e tij. Të pandehurit Arben Sefgjini, aktualisht drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve, Ilir Kumbaro, Avni Koldashi dhe Budjon Meçe akuzohen për rrëmbimin dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës, si dhe për rrëmbimin dhe torturimin e Ziso Kristopullit dhe Abdyl Loshajt. Sipas kërkesës për gjykim, katër të pandehurit akuzohen se, në bashkëpunim me njeri-tjetrin, në muajin shtator-tetor 1995 kanë rrëmbyer shtetasit Remzi Hoxha, Avdyl Loshaj dhe Ziso Kristopuli dhe në mënyrë të dhunshme i kanë çuar në një ndërtesë në administrim të SHIK-ut, në vendin e quajtur Vain të rrethit Lezhë.
Ngjarja
Dosja e vjetër e zhdukjes së biznesmenit maqedonas Remzi Hoxha, që daton në vitin 1995 është rihapur nga Prokuroria. Ndërsa tashmë janë sërish nën hetim dhe krerë të SHIK-ut, si të dyshuar në zhdukjen e mistershme të këtij biznesmeni. Deri tani janë katër ish-punonjës të SHIK-ut, të cilët dyshohen si të implikuar në zhdukjen e biznesmenit Remzi Hoxha në vitin 95. Të pandehur për këtë çështje janë Arben Sefgjini, Avni Koldashi, Budjon Meçe dhe Ilir Kumbaro. Budjon Meçe ndodhet në spital, për shkak të një sëmundjeje, ndërsa Ilir Kumbaro është në kërkim ndërkombëtar. Më 4 maj Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi në mungesë masën e sigurisë “arrest shtëpie” për të pandehurit Arben Sefgjini, Budjon Meçe dhe Avni Koldashi, të cilët dyshohet se janë implikuar në zhdukjen e biznesmenit Remzi Hoxha. Katër ditë pas kësaj, Gjykata e Krimeve të Rënda i komunikoi Arben Sefgjinit dhe Avni Koldashit këtë masë sigurie, ndërsa mungonte sërish Budjon Meçe. Arben Sefgjini, aktualisht drejtor i Tatimeve, e cilësoi të padrejtë vendimin e prokurorit, pasi, sipas tij, “pretendimet e tij (prokurorit) janë të pavërteta”.

Rrëmbimi
Në dosjen e Prokurorisë, mësohet se Ziso Kristopuli ka treguar se është rrëmbyer më 17 tetor 1995, ndërsa ai ndodhej në kryqëzimin e Ksamilit. “Ndaloi një makinë para këmbëve të mia dhe dy persona m u paraqitën si përfaqësues të Kontrollit të Shtetit, dega Gjirokastër. Më thanë se duhet të shkoja për sqarime në Gjirokastër, lidhur me pularinë e Ksamilit. Gjeta një shkak, thashë se kisha nënën sëmurë dhe nuk më morën. Të nesërmen m u paraqit ish-shefi i Krimeve në Sarandë. “Do vish me mua në Komisariatin e policisë në Sarandë”,- ma priti prerë. Ai më shpuri në kampin e punëtorëve dhe aty më dorëzoi në një tjetër makinë. Me personat e një dite më parë nisëm udhëtimin drejt Gjirokastrës, por aty nuk ndaluam. Më 19.30 kishim mbërritur në Tiranë. Mua më zuri frika, pasi vura re se në çdo qendër banimi, ku hynim, ata ndërronin targën e makinës. Pasi arritëm në Lezhë, më futën në një godinë. Nga dritarja pashë një shatërvan dhe kuptova se një të tillë të ngjashëm e kisha parë dikur në një ndërtesë apo vilë të ish-udhëheqjes komuniste në Lezhë”, ka dëshmuar Ziso Kristopuli. Më pas mësohet se Ziso Kristopuli ka deklaruar se rrëmbyesit e tij e pyesnin për lidhjet e tij me persona të ndryshëm, ndërsa e akuzonin edhe për trafik armësh.
Ky lajm është publikuar: 28/06/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›