E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: “Ja kriteret tona për dekretet e reja”

Autori i Lajmit: Suela Topi
“Sipas saj, vlerësimi i kandidaturave duhet bërë jo mbi kritere paragjykuese e përjashtuese me motiv politik e klientelist. Grupi Parlamentar i PS-së, mbështet çdo përpjekje që synon një proces përzgjedhjeje, shqyrtimi e votimi të kandidaturave sa më transparent, në respekt të Kushtetutës dhe ligjit”

Partia Socialiste i përgjigjet Presidentit të Republikës duke i çuar dhe ajo kriteret e saj për anëtarët e Gjykatës së Lartë. Në një letër dërguar dje Topit, kryetarja e Grupit Parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj, përcakton 5 kriteret për anëtarët e Gjykatës së Lartë. Sipas socialistëve, kush kandidon për këto poste duhet të ketë integritet moral e profesional dhe nuk duhet të jenë provuar shkelje gjatë ushtrimit të detyrës së tij. Ashtu si selia blu, edhe ajo rozë kërkon transparencë në deklarimin e pasurive. Por Leskaj thekson në letrën e saj se në përzgjedhjen e kandidaturave, para së gjithash, duhet të respektohen kriteret që përcakton Kushtetuta e Shqipërisë dhe kuadri ligjor në fuqi. Ndërkohë ajo ka shprehur gatishmërinë e socialistëve për të kontribuar në kuadër të Reformës në Drejtësi.
Letra
“Kryesia e Grupit Parlamentar Socialist u njoh me letrën tuaj të datës 23.06.2008, në të cilën kërkohen propozime për kriteret lidhur me përzgjedhjen e kandidaturave për anëtarë të Gjykatës së Lartë. Dëshirojmë të rikonfirmojmë se për ne mbetet shumë i rëndësishëm përshpejtimi i procesit për plotësimin e vendeve vakante në Gjykatën e Lartë, pasi ky institucion vazhdon të jetë në kushtet e mosfunksionimit normal të tij”, - shkruan Leskaj në letrën drejtuar Kreut të Shtetit. Sipas saj, në përzgjedhjen e kandidaturave, para së gjithash, konsiderohet i rëndësishëm respektimi i kritereve që përcakton Kushtetuta e Shqipërisë dhe kuadri ligjor në fuqi. “Ne çmojmë se në procesin e përzgjedhjes, shqyrtimit dhe të votimit të kandidatëve për në Gjykatën e Lartë, duhet t u jepet përparësi kritereve që i garantojnë gjyqësorit juristë me integritet moral, dëshmojnë nivel të lartë profesional, duke gjykuar mbi bazën e karrierës, vlerave dhe rezultateve pozitive të shfaqura prej tyre në ushtrimin e detyrës, nuk u janë provuar shkelje gjatë ushtrimit të detyrës, kanë dëshmuar transparencë në deklarimin e pasurisë, i provojnë vlerat profesionale edhe përmes rekomandimeve nga të paktën tre personalitete të shquara të fushës”, - saktëson numri një i deputetëve socialistë. Sipas saj, vlerësimi i kandidaturave duhet bërë jo mbi kritere paragjykuese e përjashtuese me motiv politik e klientelist. Grupi Parlamentar i PS, mbështet çdo përpjekje që synon një proces përzgjedhjeje, shqyrtimi e votimi të kandidaturave sa më transparent, në respekt të Kushtetutës dhe ligjit, në funksion të forcimit të pavarësisë dhe profesionalizmit në trupën gjyqësore përfshirë Gjykatën e Lartë.
“Mbetemi të hapur të japim kontributin tonë në procesin e përzgjedhjes së kandidaturave nëse kjo çmohet nga Presidenti i Republikës në funksion të ushtrimit të përgjegjësive të tij kushtetuese”, - përfundon Leskaj.

Kriteret e PS-së për Gjykatën e Lartë
- i garantojnë gjyqësorit juristë me integritet moral,

- dëshmojnë nivel të lartë profesional, duke gjykuar mbi bazën e karrierës, vlerave dhe rezultateve pozitive të shfaqura prej tyre në ushtrimin e detyrës,
- nuk u janë provuar shkelje gjatë ushtrimit të detyrës,
- kanë dëshmuar transparencë në deklarimin e pasurisë,
- i provojnë vlerat profesionale edhe përmes rekomandimeve nga të paktën tri personalitete të shquara të fushës,

Ky lajm është publikuar: 28/06/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›