E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kreu i UEFA-s do dale perpara nje gjykate civile ne Zvicer

Një telash aspak i vogël shqetëson UEFA. Mishel Platini do të paraqitet mëngjesin e të enjtes në një gjykatë zviceriane për t’iu përgjigjur pyetjeve të gjykatësit, Domenik Karlson, në lidhje me çështjen Sion.

Presidenti i organit drejtues të futbollit europian do të jap llogari përse nuk është zbatuar vendimi i një gjykate zviceriane, në bazë të së cilit, skuadra e Sionit duhet të rifutej në Europa Ligë.

Platini do të shoqërohet edhe nga sekretari i përgjithshëm i UEFA-s, Xhani Infantino.

Çështja Sion ka ardhur pasi skuadra zviceriane shkeli rregullat e transferimit të futbollistëve në vitin 2009 dhe u dënua nga UEFA me dy sezone “embargo”, në të cilat nuk do t’i lejohej të blinte lojtarë.

Por Sioni e shkeli këtë rregull sivjet, duke marrë plot shtatë emra të rinj, të cilët luajtën në suksesin 3-1 ndaj Sëlltikut në “play off”, duke fituar të drejtën për të luajtur në fazën me grupe të Europa Ligë.

Në këtë moment erdhi ankesa e skocezëve, e cila u pranua nga UEFA.

Sioni u eliminua në tavolinë dhe Sëlltiku u shortua në grup me Udinezen, Atletikon e Madridit dhe Rënenë.

Por një gjykatë civile në Zvicër e hodhi poshtë dënimin e UEFA-s, duke e cilësuar si të padrejtë, pasi Sioni këmbëngul që të shtatë blerjet janë bërë dy ditë pasi ka mbaruar skualifikimi i tyre.

E njëjta gjykatë e detyron UEFA-n të paguajë 1000 franga zviceriane në ditë për Sionin, nëse ky ekip nuk do të përfshihet në Europa Ligë.

Vetëm Gjykata Sportive e Kasacionit ka të drejtë të marrë vendimin përfundimtar në lidhje me këtë çështje, por fakti që UEFA dhe FIFA i kanë selitë në Zvicër, i jep të drejtë edhe gjykatës civile zviceriane të ndërhyjë për çështje të tilla.

 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›