Kreu i bandës vrau vëllain e zhdukur
Armand Bajrami
“Dyshoj se ti e ke vrarë vëllain tim në Malet e Lurës. Ti, sepse në vitin 2000 the se Dritani është fshehur dhe është mirë, ndërsa në 2003 më ke thënë se është vrarë nga dikush, me të cilin unë nuk isha asnjë gjak apo konflikt”. Me këto fjalë i është drejtuar dëshmitari Paulin Ndoi, vëllai i njërit prej të pandehurve të “Bandës së Mirditës”, Nikollë Syziut, të cilësuar si kreu i kësaj bande. Në seancën e djeshme të gjyqit që po zhvillohet te Krimet e Rënda, në ngarkim të “Bandës së Mirditës”, Paulin Ndoi ka dëshmuar se si kishte mësuar ngjarjen ku mbeti i vrarë polici Gjon Pacuku dhe u plagosën tre të tjerë në ish-SMT-në e Rrëshenit. Pasi ka identifikuar gjithë të pandehurit si miq të ngushtë të vëllait të tij, në një seancë të tejmbushur me terma kanunorë, Paulin Ndoi ka shprehur edhe dyshimet e tij për zhdukjen e mistershme të vëllait të tij Dritan Ndoi (Syziu). “Gjatë kohës kur ka ndodhur ngjarja, unë isha në Itali. Jam lidhur me vëllain Dritanin, me anë të një telefonate. Aty ai më tregoi se i ishte lutur Nikollë Syziu që të kryenin një vjedhje pjesësh të një automjeti “Benz”, në ish-SMT-në e Rrëshenit. Më tha që gjashtë personat (tregon me gisht me radhë të pandehurit) ishin takuar në shtëpinë e Kol Gjokës, dhe më pas me fugonin e njërit prej vëllezërve Syziu janë nisur drejt vendit të ngjarjes. Ai kishte vetëm një pistoletë, ndërsa Tom Gjoka, Tom Syziu dhe Nikollë Syziu kishin kallashnikovë. Kur kanë shkuar te SMT-ja, kanë parë se është afruar fugoni i policisë te dera kryesore. Im vëlla ka qenë te makina së bashku me dy të tjerë ndërsa tre të tjerët, me në krye Nikollë Syziun, kanë qenë në ruajtje në afërsi të portës. Më pas ka ndodhur edhe hedhja e granatës edhe zjarri kundër policisë. Unë nuk kam shkrehur asnjë armë, më tha vëllai, dhe për këtë ai zotohej se mund të betohej sipas zakonit, nëse do të ishte e nevojshme”, ka pohuar Paulin Ndoi përpara gjykatës. Ai ka treguar se ngjarjen e kishte dëgjuar edhe nga vetë goja e Tom Gjokës dhe Arjan Reçit në Itali, kur ata qëndruan atje para se të arrestoheshin. Ndërsa dyshimin për “faturimin” e vrasjes së vëllait të tij, Nikollë Syziut, ai e ka mbështetur te fakti i deklarimeve kontradiktore të këtij të fundit në lidhje me zhdukjen e vëllait të tij Dritan Ndoi. Në seancën e djeshme u thirrën edhe tre dëshmitarë të tjerë, Llesh Ndoi, Gjegj Reci dhe Nikoll Marku të cilët treguan për gjykatën dijeninë e tyre mbi ngjarjen.