E Diel, 1 Nëntor 2026

Tiranë, dy familje përleshje me leva pas gjyqit për pronën

 

TIRANE - Dy familje nga Baldushku, periferi e Tiranës, u përfshinë dje në një konflikt të dhunshëm pasi dolën nga Gjykata e Tiranës, ku po zhvillohet një betejë ligjore mes tyre për pronësinë e një trualli toke me sipërfaqe 1700 metra katrorë. Petrit dhe Shpëtim Tresa, 52 dhe 30 vjeç, babë e bir, mbeten të plagosur rëndë, pasi u sulmuan nga tre vëllezër, anëtarë të familjes kundërshtare në procesin gjyqësor. Policia identifikoi si autorë të ngjarjes së ndodhur dje në mëngjes pranë ish-ekspozitës, tre vëllezërit Luan Aleksandër dhe Vladimir Harizi, banues në fshatin Baldushk në komunën me të njëjtin emër. Autorët e plagosjes u identifikuan nga policia e komisariatit nr.2, e cila ka marrë të dhënat e agresorëve gjatë pyetjes së personave të dëmtuar gjatë kohës që ata po dërgoheshin në spital. Burimet e policisë që iu referohen dëshmitarëve, thanë se konflikti ka nisur të ndizet në ambientet e gjykatës, pasi kishte përfunduar seanca e dytë gjyqësore. Palët po zhvillojnë në gjykatë një proces gjyqësor, për shkak të një konflikti pronësie mbi një sipërfaqe trualli prej afërsisht 1700 metrash katrorë. Pas debateve të shkëmbyera jashtë sallës së gjyqit, dy familjet janë gjendur në një prej rrugëve të pasme të gjykatës, ku kanë nisur të konfliktohen mes tyre. Tre persona, sipas të dhënave të dëshmitarëve, kanë nisur të godasin me leva dhe sende të forta mbi Petrit e Shpëtim Tresën. Vëllezërit kanë kryer një veprim të tillë, sipas burimeve, në shenjë hakmarrjeje ndaj Shpëtim Tresës, i cili ishte denoncuar nga babai Harizajve se e kishte fyer dhe kërcënuar atë në fshatin Baldushk. Përplasja, sipas dëshmitarëve, zgjati disa minuta, duke u shkaktuar plagë të rënda dy anëtarëve të familjes Tresa. Pas sulmit, vëllezërit Harizi janë larguar nga vendi i ngjarjes përmes rrugicave të zonës pas Gjykatës. Ndërsa babë e bir, u nisën për në Spitalin Ushtarak policia mbërriti aty pas njoftimit të marrë në sallën operative. Pas një hetimi të shkurtër, policia e komisariatit nr.2 ia kaloi ngjarjen për kompetencë seksionit të krimeve ndaj jetës dhe shëndetit. Hetuesve të këtij sektori u është dashur vetëm të plotësojnë dokumentacionin, pasi efektivët e komisariatit nr.2, kishin mbaruar veprimet kryesore. Pas mjekimit të marrë në spital, Petrit Tresa është përmirësuar, ndërsa i biri ka mbetur në gjendje të rëndë, si pasojë e dëmtimeve në kokë. Petrit Tresa ka treguar rrethanat e ngjarjes nga spitali, duke pohuar se autorët e sulmit ishin tre vëllezërit e familjes Harizi, me të cilët ata janë në proces gjyqësor për një konflikt pronësie.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›