E Diel, 1 Nëntor 2026

Kreu i bankomateve punësoi hakera rusë dhe anglezë

I akuzuari si kapoja i "bandës" shqiptare të bankomateve, Endrit Gjergjani, kishte arritur të punësonte nga Tirana hakera rusë dhe anglezë, të cilët i paguante për çdo informacion që ata i jepnin lidhur me kartat e kreditit. 

 Sipas burimeve zyrtare nga Prokuroria mësohet se, Zyra hetimore Task-Force ka dokumentuar me dhjetëra raste kur Gjergjani u ka postuar pagesa 500-dollarëshe hakerave rusë dhe anglezë, që e furnizonin me informacion për numrat serialë dhe kodet e kartave të kreditit që më pas klonoheshin në bazë të këtyre të dhënave dhe përdoreshin për të kryer vjedhjet. Pasi ai dhe të akuzuarit si anëtarë të grupit të tij kryenin vjedhjet me karta të klonuara në Tiranë, një pjesë e fitimeve u dërgoheshin me anë të transfertave hakerave anglezë dhe rusë, të cilët përmes internetit u kishin dërguar të rinjve shqiptarë të dhënat e kartave të kreditit të shtetasve nga Evropa, Anglia dhe Kanadaja. Sipas hetimeve të zhvilluara për më tepër se tetë muaj me radhë, Endrit Gjergjani ishte drejtuesi kryesor i grupit të të rinjve që kryenin vjedhje me karta krediti. Ai mbante komunikimin përmes internetit me hakerat anglezë dhe rusë, prej të cilëve duke komunikuar në internet kishte mësuar të dhënat e qindra kartave të kreditit që ishin në përdorim të shtetasve të huaj. Informacionet e marra nga hakerat rusë dhe anglezë, përmes kompjuterit dhe pajisjes së klonimit, Gjergjani i hidhte në karta të bardha të blera në Maqedoni. Shiriti magnetik i tyre shkruhej me të dhënat e marra në mënyrë ilegale nga hakerat jashtë vendit, ndërsa falë kësaj metode të ndjekur, grupi i të rinjve shqiptarë, tashmë 12 prej tyre të arrestuar, përfitonin karta krediti identike me ato që mbanin zotëruesit e vërtetë të llogarive bankare jashtë Shqipërisë, të cilat janë vjedhur nga 12 të arrestuarit e operacionit "Matrix 4", që u zhvillua në Tiranë javën e kaluar. Sipas burimeve zyrtare të policisë, ata kishin kryer më tepër se 400 vjedhje gjatë tetë muajve të fundit që nga dhjetori 2007-ës deri në korrik 2008. Prokuroria është duke hetuar edhe në drejtim të pasurisë që kanë vendosur të arrestuarit si pasojë e përfitimeve marramendëse që dyshohet të kenë arritur gjatë kryerjes së vjedhjeve. Përveç pajisjeve të sofistikuara teknike për klonimin e kartave, ata janë survejuar nga agjentët e policisë duke lëvizur me makina luksoze, disa prej të cilave u sekuestruan gjatë aksionit, si dhe duke bërë shpenzime të larta gjatë fundjavave që kalonin në Mal të Zi, Durrës, Vlorë dhe Sarandë. Pikërisht prej këtyre shpenzimeve të ekzagjeruara gjatë blerjeve të tyre në disa vende publike, por edhe gjatë vjedhjes duke përdorur kartat e klonuara në bankomate, të arrestuarit janë fiksuar nga kamerat e sigurisë.        tr.so

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›