Kreu i bashkisë akuzon mazhorancën për bllokim
Këshilli bashkiak i Korçës nuk ka miratuar asnjë nga investimet e parashikuara nga bashkia. Projektet që pushteti lokal ka planifikuar për investime kryesisht në infrastrukturë janë rrëzuar nga këshilltarët e djathtë, që kanë shumicën. Ndërkohë që sipas kryetarit të Bashkisë së Korçës, Niko Peleshi, disa nga investimet më madhore për qytetin po mbahen peng për arsye politike. Konfliktet mes palëve janë thelluar më tej me rrëzimin e projekteve dhe të fondeve në dy mbledhjeve të këshillit bashkiak të zhvilluara brenda pak ditësh. “Janë arsyet politike ato që po mbajnë peng investimet në Korçë, të cilat janë investime për qytetarët. Këto projekte po pengohen për të vonuar sa më shumë kryerjen e zbatimit të tyre dhe bëhet fjalë për projekte madhore dhe financime të huaja që po i hiqen Korçës. Nuk më vjen mirë ta pranoj, por kjo kryhet për motive politike, pasi argumentet që sjellin këshilltarët e grupimit të djathtë nuk qëndrojnë duke rrëzuar kështu tre investime të rëndësishme siç janë rikonstruksioni i sheshit të katedrales, kanalizimet e ujërave të zeza dhe zona këmbësore”, thotë Niko Peleshi. Ndërsa nënkryetari i këshillit, Shkëlqim Kajmaku, e justifikon mosmiratimin e projekteve për arsye teknike. Ai mohon faktin që debati të jetë i nxitur politikisht për të penguar dhe vonuar zbatimin e projekteve.
#