Shkodër, bashkia ndërhyn në varrezat e dëshmorëve pas 5 Majit
Një ditë pas përkujtimit të dëshmorëve të atdheut mes mbeturinave dhe tymit, Bashkia e Shkodrës ka ndërhyrë për sistemimin e përkohshëm të sheshit pranë varrezave.
Veteranët e luftës reaguan ashpër dje, duke e konsideruar fyes rrethimin nga plehrat të banesave të fundit të atyre që ranë në luftë, por edhe figurave të tjera të shquara të kombit si Migjeni, Luigj Gurakuqi , Pashko Vasa, etj.
Në lidhje me situatën e krijuar, drejtues të bashkisë janë shprehur se: “Nuk është aspak normale që mbeturinat të jenë aty dhe të digjen, por problemi është i tillë që procesi i grumbullimit dhe tretjes së mbeturinave kryhet nga firma private dhe deri në momentin sa të ndërtohet landfilldi në Bushat, plehrat e qytetit do të mblidhen pranë varrezave të dëshmorëve”. Sipas zyrtarëve të bashkisë, problemi aktual është se firma që ka fituar tenderin për të mbledhur dhe tretur plehrat është dashur të kujdeset për ruajtjen e mbeturinave nga zjarri. “Në këtë situatë, bashkia ka ndërhyrë te firma duke i kërkuar që të nisë një sistemim të mbeturinave që të mos përhapen në një rreze të gjerë dhe të marrin masa që plehrat të mos digjen”, tha një nëpunës i Bashkisë së Shkodrës. Ndërkohë, gjatë gjithë ditës së djeshme firma që ka marrë përsipër pastrimin e qytetit nga mbeturinat ka nisur një aksion pastrimi dhe sistemi të sheshit ku mblidhen mbeturinat duke nisur me shuarjen e vatrave të shumta të zjarrit dhe mbulimin me inerte të mbeturinave. Sipas Bashkisë, firma pastruese e ka bërë dhe herë të tjera një sistemim të tillë, por njerëz të papërgjegjshëm hapin mbeturinat i vënë zjarrin për të nxjerrë pjesët metalike që i shesin për skrap. Pavarësisht ndërhyrjeve për sistemim, vendi ku prehen dëshmorët e atdheut pas pak ditësh do jenë të mbuluar nga mbeturinat dhe tymi. Tymi që çlirohet nga djegia e mbeturinave çdo ditë mbulon me një formë reje qytetin e Shkodrës, duke e klasifikuar këtë zonë ndër më të ndoturat në vend. Bashkia e Shkodrës duhet të ndërhyjë për sa kohë është organi kompetent që ka në juridiksion këtë proces.
#