E Shtunë, 31 Tetor 2026

Uji rikthen jetën në fshatin e braktisur

Mat

Fshati Bershi, në Bashkinë e Klosit të rrethit të Matit, njihet si një ndër fshatrat me numrin më të madh të familjeve të shpërngulura. Shkaku kryesor i kësaj braktisjeje ka qenë mungesa e ujit të pijshëm për banorët. Kështu ndër vite jo pak, por 1200 banorë të tij duhej të furnizoheshin me ujë nga një burim i vetëm për zonën që ndodhej rreth 1 orë larg nga fshati duke e transportuar atë për në shtëpitë e tyre në krahë apo me kafshë. Banorët tregojnë se gjatë 5 viteve të fundit, mjaft familje të këtij fshati, pasi kanë humbur çdo shpresë për ndërtimin e ujësjellësit kanë zgjedhur rrugën e braktisjes së tij. Por, më në fund duket se në fshatin Bershi po rikthehet jeta normale e banorëve të tij, pasi ujësjellësi i ëndërruar ndër vite prej tyre po bëhet realitet. Një investim i qeverisë prej 40 milionë lekësh, që po mundëson ndërtimin e ujësjellësit, i cili këto ditë po shkon drejt përfundimit të plotë të tij. Linja e tubacioneve të këtij ujësjellësi do të kenë një gjatësi prej rreth 16 kilometrash dhe çdo shtëpi do të ketë ujë 24 orë pa ndërprerje.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›