Qumështi me urinë, autoritetet kujtohen për kontrolle
Pas denoncimit të rastit të përzierjes së qumështit me urinë lopësh, Drejtoria e Bujqësisë dhe Mbrojtjes së Konsumatorit të Beratit është vënë e gjitha në lëvizje. Burime të kësaj drejtorie pohojnë për gazetën se kontrolli është shtrirë në të gjitha baxhot e Qarkut të Beratit. Sipas shefit të sektorit të mbrojtjes së konsumatorit Ylmi Balliu, inspektorë të kësaj drejtorie po punojnë në rishikimin e dokumentacioneve përkatëse në lidhje me të gjitha analizat që kanë kryer këto qendra të përpunimit, si dhe tregtimit të bulmetit. Balliu pohon se rasti i Donofrosës, i cili është denoncuar nga vetë pronari i kësaj baxhoje Astrit Sinjari, i vë para përgjegjësisë që “të mos neglizhojmë, por të mbajmë gjithmonë nën vëzhgim këto qendra të grumbullimit dhe përpunimit të bulmetit”. Më tej Balliu pohon se kjo drejtori e ka pasur prioritetet të saj kontrollin e këtyre subjekteve, por më shumë vëmendje i kushtohet gjatë stinës së verës, pasi dhe rrezikshmëria është dhe më e lartë. Gjithsesi, rasti i Donofrosës ku dyshimi nuk mund të mbetet vetëm ndonjë bagëti të sëmurë, por dhe papërgjegjshmëri të ndonjë fermeri tregon se duhet të ushtrohet kontroll edhe më i detajuar në të gjitha këto subjekte madje dhe mos të ngurohet që këta persona dhe vihen përpara përgjegjësisë. Gjithsesi, kampionet e marra nga baxhoja e Donofrosës janë duke u rishqyrtuar në laboratorin e Drejtorisë së Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit dhe pritet që sot të merren përgjigjet përfundimtare dhe më pas të veprohet konkretisht me produktet në këtë baxho të cilat ndodhen të bllokuara. Përzierja e qumështit të lopës me urinën e kësaj kafshe është një praktikë e aplikuar në Shqipëri që në kohën e kooperativave bujqësore. Ndryshe nga uji, urina nuk dallohet nga aparaturat e thjeshta që përdorin grumbulluesit e qumështit.
#