E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis rehabilitimi i Porto Romanos

Durrës

Në Porto Romano të Durrësit, një prej zonave mjedisore më të nxehta në vend dhe Ballkan kanë nisur punimet për rehabilitimin e terrenit nga kontaminimi i mbetjeve kimike të trashëguara nga periudha e para viteve ’90 si rezultat i veprimtarisë së ndërmarrjes kimike që prodhonte: lindan, bikromat natriumi dhe squfur. Me një fond prej rreth 228 milionë lekësh, punimet përfshijnë ndërtimin e një kapsule izolimi që do të mbyllë 50 mijë metra kub mbetje biokromati natriumi dhe lindani të shpërndara në një sipërfaqe prej 7.8 hektarësh. Në ceremoninë e fillimit të punimeve që po kryhen nga një kompani finlandeze, ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu, deklaroi se me këtë fond i hapet rrugë rehabilitimit përfundimtar të kësaj zone. Ndërkaq, ministri i Transporteve dhe Punëve Publike, Sokol Olldashi, i kërkoi kreut të bashkisë, Vangjush Dako, që të nisë planifikimin e studimit turistik të Porto Romanos. Sipas drejtueses së Bankës Botërore, të gjitha investimet duhet të shkojnë në destinacion për përmirësimin e jetës së komunitetit. Investimet për rehabilitimin e kësaj zone të nxehtë mjedisore janë realizuar me fonde të qeverisë shqiptare, Bankës Botërore dhe qeverisë holandeze. Kështu, një nga zonat më të nxehta mjedisore që pritet të degradohet më tej nëse në të do të ndërtohet TEC-i me qymyr ka marrë vëmendjen e dy ministrive me synim reduktimin e degradimit të ekosistemeve në bregdetin e Porto Romanos. Projekti i nisur disa vite më parë me studimin e fizibilitetit të financuar nga BB synon të reduktojë ndotjen mjedisore në zonë, si dhe rreziqet për shëndetin e njerëzve që jetojnë pranë zonës së ndotur.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›