Grabitën bankën në autostradë, pa maska dhe ditën me diell
Dy persona të pamaskuar kanë grabitur në harkun e dy minutave një filial banke në autostradën Tiranë-Durrës. Ora shënonte 10.30 kur persona të armatosur hynë në bankë, duke neutralizuar edhe rojët e sigurisë së saj dhe mundën të marrin jo vetëm paratë që gjendeshin në arkë, por edhe ato që kishin me vete klientët, të cilët u ndodhën aty në momentin e grabitjes. Më pas grabitësit janë larguar me shpejtësi me një makinë. Policia, e cila ka mbërritur në vendin e ngjarjes, ka nisur mbledhjen e provave, si dhe marrjen në pyetje të dëshmitarëve për të bërë të mundur identifikimin dhe më pas arrestimin e autorëve të kësaj grabitjeje. Një grup i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, filloi veprimet procedurale. Sipas tyre, u bllokuan kasetat e sigurisë, si dhe në bazë të deklaratave të dëshmitarëve okularë janë marrë të dhëna të mjaftueshme për të ndërtuar identikitin e autorëve të dyshuar të ngjarjes. Nga hetimet paraprake të grupit hetimor rezulton se, autorët e kësaj vjedhje kanë qenë dy persona, njëri prej të cilëve i armatosur. Sipas policisë, shuma e grabitur shkon në rreth 350 mijë lekë. Policia po zhvillohen hetime intensive për dokumentimin e veprës penale, identifikimin dhe kapjen e autorëve të saj.
#