Anëtarët e KLD: Mbledhja e 5 dhjetorit s‘ka bazë në ligj
Fatos Mahmutaj
Gjyqtarë të kryeqytetit dhe anëtarë të KLD-së reaguan dje për mbledhjen e togave të zeza që pritet të zhvillohet ditën e nesërme. Sipas disa gjyqtarëve, të cilët preferuan të mos citoheshin, kjo mbledhje për faktin që është e pa bazuar në një ligj, nuk mund të zgjedhë anëtarët e KLD-së. Ndërkohë, të tjerë gjyqtarë që janë shprehur kundër takimit të nesërm, pohuan dje se nuk do të marrin pjesë për shkak se ftesat e tyre nuk paraqiteshin serioze dhe se nuk kishin të shënuar në to identitetin e dërguesit. Sipas gjyqtarëve që janë kundër mbledhjes në fund të ftesave ishte shënuar vetëm fraza: “Nga grupi organizator”, çka nënkupton mungesën e seriozitetit në organizimin e mbledhjes. Duke shpjeguar arsyet e refuzimit të ftesës gjyqtarët që janë shprehur kundër mbledhjes pohuan se në mungesë të ligjit për Konferencën Gjyqësore, togat e zeza nuk mund të organizoheshin zyrtarisht, por gjithsesi takimi e tyre do të mbetej në kuadrin e çdo takimi mes miqsh apo të njohurish. Menjëherë pas kësaj reagoi Unioni i Gjyqtarëve Shqiptarë, shoqata që inicioi mbledhjen. Gjykatësi kryeqytetas Gerdi Hoxha, anëtar i bordit drejtues të Unionit pohoi dje se gjyqtarët që refuzojnë mbledhjen që pritet të zhvillohet nesër paraqitin pretekst të pakuptimtë kur përmendin rastin e ftesave. Sipas tij ftesat janë dërguar nga kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj, në cilësinë e kryetares së Konferencës Gjyqësore Kombëtare, ndërsa me shpërndarjen e tyre është angazhuar drejtoria për marrëdheniet me publikun në Gjykatën e Lartë. Sipas gjyqtarit Hoxha ftesat janë dërguar në të gjithë gjykatat shqiptare, nominalisht për secilin gjykatës. Në këtë mënyrë gjyqtari Hoxha argumentoi se togat e zeza duhet të merrnin pjesë në mbledhje dhe aty të vendosnin nëse ishte e arsyeshme apo jo që nesër të bëhet zgjedhja e anëtarëve të KLD-së, apo kjo procedurë të kryhej një ditë tjetër. Sipas Hoxhës mbledhja u kërkua nga Unioni, por për më tepër me këtë ishte dakord edhe shoqata tjetër e togave të zeza, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve. Ndërsa në lidhje me pretendimin pëër pavlefshëmri të votimit për zgjedhjen e anëtarëve të KLD-së, Hoxha tha se nëse gjykatësit do të vendosnin me shumicë për këtë, atëherë skeptikëve u mbetej t’i drejtoheshin Gjykatës Kushtetuese për të verifikuar ligjshmërinë e këtij veprimi.