E Diel, 1 Nëntor 2026

Kreu i minibashkisë nr.11, Mustafa: Lapraka më e "varfra" në investimet e bashkisë

Për të shkuar në "qytezën"  më të afërt të Tiranës, nuk duhet të përshkosh kilometra të shumta dhe të humbësh orë të gjata në udhëtim. Mjafton të marrësh urbanin në qendër të Tiranës dhe qyteti i Laprakës shfaqet para teje në pak minuta. Me rreth 62 300 banorë, me 17 200 familje, dhe me 600 njësi tregtare, nga të cilat 16 biznese prodhuese, Lapraka, duket se po ia kalon dhe qyteteve më të vjetra të Shqipërisë. Lapraka si njësi administrative i përket Njësisë bashkiake nr.11, dhe aktualisht mund të konsiderohet si një nga njësitë që ka numrin e investimeve më të pakta se njësitë e tjera, megjithëse ka një numër më të madh banorësh. Haki Mustafa, Kryetar i kësaj njësie Bashkiake, ka pohuar se për vitin 2009 situata nuk është aspak e favorshme dhe kjo për dy arsye: E para, është se projekt-buxheti i Tiranës akoma nuk ka kaluar, dhe së dyti, duke mos pasur projekte dhe qeveria nuk ka hapësira për të bërë investime. "Dua të theksoj se vetëm në 35 për qind të territorit është investuar dhe rreth 65 për qind ka mbetur pa investime. Pra, mund të jemi një nga njësitë bashkiake me investime më të pakta që bashkia e Tiranës ka lënë deri më sot", është shprehur Mustafa. Por kjo nuk është e vetmja sfidë aktuale për banorët e kësaj zone. Legalizimet janë një nga sfidat aktuale e cila, sipas Mustafës pritet të zgjidhet së shpejti. "Janë rreth 570 dosje që pritet të kalojnë nga ALUIZNI tek Këshilli i Ministrave. Afati i marrjes së këtyre dokumenteve nga qytetarët pritet të jetë i shkurtër, pra brenda muajit. Shqetësimi ynë është që një pjesë e qytetarëve, që mund të jenë rreth 700 familje, nuk kanë sjellë ende dokumentet për legalizim pavarësisht se ndërtesat e tyre mund të jenë bërë para viteve 90-të. Një tjetër pengesë kemi hasur në punën e bërë me studimin urbanistik për të cilën Bashkia e Tiranës thotë që këto janë zona me studim urbanistik dhe nuk ka nevojë të bëhen legalizimet. Faktikisht nuk është kështu, se këto janë zona me studim pjesor, që i ka bërë një firmë për interesat e saj", ka bërë të ditur Mustafa, sipas të cilit një problem i madh për banorët e kësaj njësi bashkiake janë edhe dy brigjet e lumit të Tiranës, në të cilat hidhen dhera pa kriter, që dalin nga ndërtimet e bëra në Tiranë. "Këto dhera sjellin përmbytje dhe shqetësime tek banorët e zonës", ka pohuar kreu i minibashkisë nr 11, duke shtuar si tjetër problem janë qytetarët që banojnë tek godinat e Institutit Bujqësor. "Janë rreth 480 familje që banojnë aty në një gjendje të vështirë. Banorët që jetojnë tek ish- Shkolla e Partisë janë një tjetër shqetësim për. Sot ato banesa janë privatizuar nga firma të ndryshme, për momentin ato janë në proces legalizimi dhe ne kemi një konflikt të madh me këto biznese. Kemi bërë kërkesa në mënyrë që ato tu njihen personave që banojnë sot, dhe më pas me mirëkuptim të bëhen ndërtime në këto objekte", cilësoi Mustafa.

Email This Klikime: 20

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›