MSH: Çmime tavan për shërbimin dentar
Stop abuzimit me çmimet e shërbimit dentar. Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me Shoqatën e Stomatologjisë janë në tratativa për vendosjen e çmimeve tavan për çdo shërbim dentar. Me kërkesë të shoqatës, ministria ka ngritur grupet e punës të cilët janë shpërndarë në të gjithë vendin për të kryer inspektimet në mënyrë që të detajohet më saktë mënyra e procedimit për kriteret bazë për vendosjen e çmimeve.
Klinikat
Nisur edhe nga situata e rëndë në të cilën ndodhet sot shërbimi dentar në vendin tonë, pritet që çmimet e reja të rregullojnë tregun dhe të ulin abuzimet e mjekëve, ku ndër më problematiket vazhdojnë të mbeten çmimet e larta dhe të pastandardizuara të shërbimeve të ofruara shpeshherë të papërballueshme nga popullata. Problemi është evidentuar nga Shoqata e Stomatologjisë, e cila i ka dërguar Ministrisë së Shëndetësisë një letër në të cilën përveçse i pasqyron situatën aktuale, edhe i kërkon domosdoshmërinë e vendosjes së çmimeve tavan për këtë shërbim. Specialistja e shërbimit stomatologjik në Ministrinë e Shëndetësisë, Çiljeta Pasholli, shprehet për “standard”: “Ne dhe shoqata kemi marrë një iniciativë për të riparë çmimet që stomatologët ofrojnë në treg. Deri tani kemi mbledhur disa të dhëna dhe ankesa në lidhje me disa objekte private për materialet që ato harxhojnë. Kuptohet se ne nuk mund të lejojmë që i gjithë çmimi i materialit të bjerë mbi kurrizin e pacientit, prandaj në këtë kuadër do të ketë edhe njëfarë ekuilibri. Është e kuptueshme që materialet që përdorin janë të ndryshme dhe në gjithë këtë gamë të çmimeve që operojnë në tregun e sotshëm stomatologjik, në këtë pikë duhet gjetur një vijë e mesme”.
Më pas, këto çmime do të regjistrohen dhe do të rishikohen në sektorin e vendosjes së çmimit në Ministrinë e Shëndetësisë. Ndër kriteret bazë për përcaktimin e çmimeve, përveç materialit që përdorin, do të jetë edhe grada në të cilën ndodhet dhëmbi. Ndërkohë që znj. Pasholli sqaron se çmimet e reja do të vendosen në përputhje me tregun dhe hapësirat që lejohen ai.
Për sa i përket vendndodhjes gjeografike të klinikës dentare, në periferi apo në qendër të qytetit, kjo nuk do të përbëjë kriter për vendosjen e çmimit. Specialistët sqarojnë se nuk ka rëndësi nëse klinika ndodhet në qendër apo në zona të thella të qytetit për të pasur çmime të ndryshme, do të jenë kritere të tjera që do të jenë vendimtare.
Çmimet
Vendosja e çmimeve tavan të përcaktuara nga ekspertët do të jenë të ekspozuara dukshëm në klinikat dentare. Këto çmime janë domosdoshmëri për futjen e skemave të sigurimeve në shërbimin dentar. Pas vendosjes së këtyre çmimeve, ato do të jenë të vlefshme për çdo klinikë stomatologjike. Ajo që vihet re është se në të gjitha klinikat dentare nuk afishohen çmimet e shërbimeve dentare, megjithëse subjekti që i gjendet kjo shkelje me ligj, gjobitet 50 mijë lekë të reja.
Aktualisht, shërbimi stomatologjik është i organizuar në shërbimin publik dhe privat. Raporti mes tyre është afërsisht 30 për qind në publik dhe 70 për qind në privat. Shërbimi privat ushtrohet në klinikat private të përqendruara kryesisht në Tiranë, rreth 900, dhe në qytet e tjera më të mëdha.