Kreu i qeverisë, Sali Berisha ripërsërit zotimin për kufizimin e imunitetit
Mazhoranca kundër çdo imuniteti, nëse opozita nuk jep konsensus, qëndrim të njëanshëm
Shefi i ekzekutivit Sali Berisha paralajmëron opozitën se në rast të një mungese të mundshme konsensusi, për ligjin e imuniteteve, atëherë mazhoranca do zbatojë me përpikëri çdo qëndrim të një anshëm, duke iu përgjigjur çdo kërkese të organit të akuzës. Berisha akuzon PS-në, për mos aprovimin e këtij ligji të rëndësishëm i cili është vlerësuar nga ndërkombëtarët si një lëvizje e zgjuar që pritet të rrisë eficencën e ligjit në luftën kundër korrupsionit.
Kryeministri Sali Berisha paralajmëroi dje se nëse opozita nuk kthehet në parlament për të dhënë konsensus në ndryshimin e ligjit për imunitetet, atëherë mazhoranca do të mbajë qëndrim të njëanshëm. Duke i’u referuar debatit të gjatë, dhe nisur nga sugjerimit e SHBA-vë për kufizimin e imunitetit të zyrtarëve të lartë, kreu i qeverisë Berisha bëri me dije se mazhoranca që ai drejton është kundër çdo imuniteti, por në kushtet e mos ndryshimit të ligjit nga mungesa e opozitës në Kuvend, kjo nuk e kushtëzon kurrsesi mbajtjen e një qëndrimi të njëanshëm. “Ne do të mbajë qëndrim të njëanshëm. Çdo kërkesë nga organet gjyqësore për heqje imuniteti do jetë e pranueshme”, u shpreh Berisha.
Imuniteti, Kryeministri Berisha, i gatshëm për lënien e tij
Pas mbledhjes së kryesisë së PD-së, kryetari i kësaj partie, Sali Berisha nënvizoi se ligjin për imunitetet e bllokoi opozita ndërsa siguroi se deputetët e shumicës do të votojnë ‘pro’ kufizimit të imunitetit në çdo kërkesë të tillë.
“Jam kundër çdo imuniteti. Kemi dërguar ligjin në parlament, opozita nuk e miratoi. Atëherë do të praktikoj qëndrimin e njëanshëm. Që do të thotë çdo kërkesë nga organi i prokurorisë apo gjyqësore për heqjen e imunitetit do të jetë automatikisht e pranueshme. Mazhoranca ka të drejtë të mos i njohë vetes imunitet. Siç kemi praktikuar. Nuk ndryshojmë dot ligjin por qëndrim të njëanshëm mund të mbajë”, deklaroi Berisha.
Këto komente Berisha i bëri pas mbledhjes së Kryesisë së Partisë Demokratike.
Nisur nga deklarimet e ambasadorit të SHBA-ve në vendin tonë John Withers, i cili u shpreh dy ditë më parë se kufizimi i imunitetit të zyrtarëve të lartë është domosdoshmëri në luftën ndaj korrupsionit, kryeministri Berisha siguron edhe njëherë përfaqësuesit ndërkombëtarë se mazhoranca është e gatshme të ndjekë të gjitha hapat që do të bënin të mundur heqjen e imunitetit. Por, siç edhe theksoi kryeministri, ndryshimi i ligjit nuk mund të bëhet pa praninë e opozitës në parlament.
Nga ky fakt, kreu i mazhorancës nuk përjashton çdo mundësi të një qëndrimi të një anshëm porsa i takon imunitetit të deputetëve, në rast të një kërkese nga Prokuroria e Përgjithshme.
Nisma ligjore për kufizimin e imunitetit të zyrtarëve të lartë, të politikës dhe fushave të tjera që gëzojë “mbrojtje”, u propozua nga mazhoranca afro një vit më parë. Mungesa e konsensusit parlamentar, i ndikuar nga vullneti i cunguar i opozitës, bënë që ky ligj të arkivohet në sirtarët e kuvendit, për ta rikthyer në axhendën parlamentare me nisjen e legjislaturës së re. Mirëpo, mungesa e opozitës në kuvend e bën të pamundur kalimin e ligjit, por nuk kufizon të drejtën e mazhorancës për të marrë vendime të njëanshme pas çdo kërkese nga organet gjyqësore.
Imuniteti, opozita mbajti peng ligjin një vit më parë
Ish opozita parlamentare e legjislaturës së shkuar, bllokoi qëllimisht miratimin e ligjit për kufizimin e imunitetit të zyrtarëve të lartë. Që nga viti i kaluar kur mazhoranca hartoi nismën ligjore për heqjen e imunitetit, opozita bëri oponencë në të gjitha drejtimet politike, duke mos dhënë konsensus në miratimin e draftit ligjor.
Kësisoj, çështja e imunitetit parlamentar, e debatuar herë pas here nga të dy krahët e politikës, nuk ka arritur të konkretizohet. Ajo ka qenë një kërkesë e vazhdueshme e komunitetit ndërkombëtar dhe ishte një nga nismat kryesore që ndërmori mazhoranca e djathtë pas ardhjes së saj në pushtet në korrik të vitit 2005.
Hapi i madh drejt konkretizimit të kësaj nisme u hodh nga Kuvendi, i cili shprehu vullnetin për ta trajtuar kufizimin e imunitetit në përputhje me standardet evropiane, madje duke ndërhyrë në Kushtetutë. Më 8 tetor 2008, Këshilli për Legjislacionin pranë Kuvendit, vendosi miratimin e amendamenteve kushtetuese.
Për këtë qëllim, në atë kohë Këshilli ngarkoi dy anëtarë të tij, Ylli Bufin dhe Ilir Rusmalin, që të hartonin draft-amendamentet për rishikimin e Kushtetutës, të cilat, sipas rregullores së Kuvendit, do t’u paraqiteshin grupeve parlamentare për nënshkrim.
Por, me gjithë angazhimin e institucionit ligjvënës çështja nuk arriti të konkretizohej për shkak të mungesës së konsensusit me opozitën e majtë.