E Diel, 1 Nëntor 2026

“Prokurorët dhe gjyqtarët, tendenca për fshehje dhe mosdeklarim pasurish”

Qendra për Transparencë dhe Informim të Lirë publikon raportin vjetor për deklarimin e pasurisë

Shmangia nga detyrimi ligjor për deklarimin e pasurive, nëpërmjet transferimit, apo fshehjes së tyre, vërehet në më të shumtën e rasteve ndër njerëzit e drejtësisë, gjyqtarët e prokurorët, si dhe te drejtuesit e pushtetit vendor. Në një përfundim të tillë arrihet nga Raporti i përgatitur nga “Watch dog” në përbërje të Qendrës për Transparencë dhe Informim të Lirë. Ky projekt, i cili zhvillohet prej tri vjetësh, mbështetet dhe financohet nga Ambasada Britanike në Tiranë.
Transferimi i pasurisë
Raporti i përgatitur nga “Watch dog” në përbërje të Qendrës për Transparencë dhe Informim të Lirë, vëren se “Transferimi i pasurisë është tipik për gjykatësit dhe prokurorët që kanë marrë ose dhënë pasuri nga të tjerët në masën 30 për qind të gjithë numrit të tyre, ose 62 për qind të gjithë rasteve të konstatuara në të gjitha kategoritë e zyrtarëve të investiguar. Sipas raportit, mësohet se ka raste dhurimi të vilave, apartamenteve, makinave, apo edhe deklarime për marrje borxhi në shuma të mëdha nga familjarë veçanërisht nga ata që kanë të afërm emigrantë”. Raporti i përgatitur nga “Watch dog” në përbërje të Qendrës për Transparencë dhe Informim të Lirë, vëren gjithashtu se “në të gjitha rastet nuk është shpjeguar burimi i të ardhurave të përfituara nga transferimi apo të transferuara tek të tjerët, kryesisht vjehrri, vjehrra, nëna, babai, ose vëllai”.
Fshehja e pasurisë
Për sa i përket fshehjes së pasurisë, i njëjti raport bënë të ditur se, “Janë konstatuar raste të fshehjes së pasurisë. Bëhet fjalë për pasuri të patundshme si garazhe, troje, apartamente apo shtëpi. Por ka fshehje pasurie nëpërmjet mosdeklarimit të fitimeve nga bizneset në pronësi, uljes në vlerë të shitjeve apo blerjeve të pasurive të patundshme, marrje kredie në shuma të mëdha, interesat e të cilave nuk justifikohen nga të ardhurat, marrje kredie pa justifikuar përdorimin e saj duke lënë hapësira dyshimi edhe për pastrim parash. Po ashtu nuk ka asnjë deklarim të kutive bankare, ndërkohë që është e mundur që disa zyrtarë të kenë të tilla. Vendin e parë në fshehjen e pasurive e zënë drejtuesit lokalë”, bën dallimin Raporti
Gabime teknike dhe financiare
Raporti ishte marrë dhe kishte trajtuar edhe shmangiet nga rregullat e plotësimit të deklaratës së pasurisë, nga ana e peronave që kanë detyrimin ligjor për plotësimin  e kësaj deklarate. Sipas këtij raporti, mësohet se ka pasur gabime teknike. “Gabimet teknike janë më të mëdha në rastet e zyrtarëve lokalë duke zënë rreth gjysmën e të gjitha gabimeve të konstatuara dhe më të vogla në rastet e zyrtarëve të administratës së lartë”. Pjesë e investigimit të këtij raporti, kanë qenë edhe gabimet financiare.
Konflikti i interesit
Zbatimi i ligjit mbi konfliktin e interesit ka parametrat më të mira, vëren Raporti i përgatitur nga “Watch dog”. “Megjithatë ndër zyrtarët lokalë të investiguar ka tre raste të shfaqjes së konfliktit të interesit ose 10 për qind në formën e favorizimit të bizneseve private të vetë zyrtarëve ndërsa zyrtarët e lartë të administratës qendrore kemi po ashtu tre raste në formën e papajtueshmërisë së postit me biznesin privat. Ndër politikanët apo ministrat kemi vetëm një rast të këtij konflikti, një rast i kapur tri vjet më parë por ende i pakorrigjuar”, citohet më tej në të njëjtin raport.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›