E Diel, 1 Nëntor 2026

“Nuk djeg mandatin për Edi Ramën, do të përfaqësoj zgjedhësit e mi”

Rritet presioni ndaj Edvinit. Pas Ben Blushit, edhe Andis Harasani paralajmëron thyerjen e bojkotit

Pas paralajmërimeve të anëtarit të kryesisë dhe deputetit të PS-së Ben Blushi, edhe Sekretari për Programin në partinë opozitare, Andis Harasani, deklaroi dje se nuk ka ndërmend të djegë mandatin e deputetit, për trillet e Edi Ramës. Harasani u shpreh se shumë shpejt do të vijë momenti që ai dhe deputetë të tjerë të PS-së do të futen në parlament, duke thyer kështu embargon disa javore të vendosur dhunshëm nga Edi Rama.
“Unë nuk kam ndërmend të djeg mandatin. Sigurisht që jo. Jam i bindur se i pari që do ma kërkojë djegien e mandatit është Edi Rama. Por, realisht unë nuk kam ndërmend ta bëj një gjë të tillë. Jam i vendosur për kthimin në parlament, pasi vetëm në këtë mënyrë mund të përfaqësoj zgjedhësit e mi”, u shpreh deputeti Harasani.
Deputeti i Partisë Socialiste dhe anëtarë i “Lëvizjes për Mendim Ndryshe” një nga zërat kritikë të Edi Ramës, akuzoi këtë të fundit se po bën presion ndaj deputetëve për të djegur mandatin e deputetit.
“Ai vetë nuk po e djeg mandatin e kryetarit të bashkisë dhe bën presion ndaj deputetëve që të humbasin mandatin e deputetit të fituar në zgjedhjet e 28 qershorit. Unë mendoj se në këtë fazë që është PS nuk kanë rëndësi numrat, ne jemi të vendosur të hyjmë në parlament”, tha Harasani.
Sipas tij, janë shumë deputetë të PS-së që mbështesin qëndrimin e tij dhe të Ben Blushit, për rikthimin në parlament dhe përfaqësimin e zgjedhësve atje.
“Di që, shumë anëtarë, kandidatë, të cilët ende nuk janë deputetë se nuk kanë kryer betimin, në asnjë mënyrë nuk do të djegin mandatin për shkak të disa trilleve të disa kryetarë partish që nuk janë deputetët. Deputetët i thonë këto, në takime, në konferenca, por nuk kanë guximin t’i thonë në Asamble”, theksoi Harasani, duke paralajmëruar zyrtarisht thyerjen e embargos së bojkotit të vendosur dhunshëm nga Asambleja dhe kryesia e PS-së, nën diktatin e plotë të Edi Ramës.
Vetëm pak ditë më parë, gjatë emisionit “Opinion”, të gazetarit Blendi Fevziu në TV Klan, deputeti i PS-së Ben Blushi paralajmëroi se ai dhe bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë, shumë shpejt do t’i drejtohen sallës së parlamentit. Sipas Blushit ky është një qëndrim që niset nga detyrimet morale dhe ligjore që, deputetët e PS-së kanë ndaj elektoratit dhe Kushtetutës së vendit.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›