E Diel, 1 Nëntor 2026

Ambasadori i BE, Lohan: Me sistemin e ri të ruajtjes së kufijve, shumë shpejt, shqiptarët do lëvizin pa viza

Ambasadori i KE në Tiranë, Helmut Lohan e ka garantuar dje Ministrin e Brendshëm Lulzim Basha, gjatë një inspektimi që iu bë pikës kufitare të Bllatës, se me standardet e reja të monitorimit të kufijve, Shqipëria shumë shpejt do përfitojë lëvizjen pa viza në vendet e hapësirës Shengen

Shqipëria po ecën me ritme të kënaqshme drejt plotësimit të kushteve të KE dhe se shumë shpejt shqiptarët do të lëvizin pa viza ne hapësirën evropiane “Shengen”. Ky është mesazhi që ka dhënë dje ambasadori i Komisionit Evropian në Tiranë, Helmut Lohan, gjatë një inspektimi së bashku me ministrin e Brendshëm Lulzim Basha në Pikën e Kalimit Kufitar Bllatë, në Dibër. Lohan garanton se shqiptarët do të ecin shumë shpejt pa viza në Evropë, pasi sipas tij, Shqipëria po ecën me ritme të shpejta drejt plotësimit të standardeve. Ai u shpreh i bindur se me këto ritme progresiste Shqipëria do të përmbushë në kohë rekord kushtet. “Progresi është i dukshëm. Në qoftë se vazhdohet me këtë ritëm, Shqipëria do të përmbushë shumë shpejt kriteret për liberalizimin e vizave”, u shpreh Lohan.
Instalimi i sistemit TIMS, integrimi me sistemin e analizës së informacionit MEMEX, lidhja me bazën e të dhënave të INTERPOL-it, janë tashmë detyra të realizuara edhe për Pikën e Kalimit Kufitar Bllatë.
Brenda muajit procesi përfundon edhe për pesë pika të tjera duke bërë kështu që të 26 pikat e kalimit kufitar në Shqipëri të plotësojnë të gjitha kushtet e krijimit të një sistemi unik dhe solid të menaxhimit të integruar të kufirit.
Duke përmendur faktin se për projektet e menaxhimit të integruar të kufirit dhe modernizimin e shërbimit të gjendjes civile dhe sistemit të adresave janë dhënë financime nga Bashkimi Evropian, ambasadori Lohan u shpreh se vlerëson angazhimin e të gjitha strukturave qeverisëse qendrore dhe vendore për progresin e qëndrueshëm të këtyre projekteve. Ministri Basha dhe ambasadori Lohan inspektuan në Bllatë edhe qendrën e Grupit Operativ Special(GOS) të kontrollit të kufirit. Lohan vërejti se edhe në këtë qendër ishin përmbushur plotësisht detyrat e vëna nga inspektimi i mëparshëm i ekspertëve të Komisionit Europian.
Pajisja me pasaporta, garancia më e mirë për heqjen e vizave “Shengen”
Ministri i Punëve të Brendshme Lulzim Basha garanton shefin e delegacionit të Komisionit Evropian në Shqipëri, Helmut Lohan se qeveria do përmbushë të gjitha kushtet e domosdoshme, në mënyrë që, qytetarët shqiptarë të përfitojnë sa më shpejt nga marrëveshja e lëvizjes së lirë. Më herët, ministri i Brendshëm Basha dhe Shefi i Delegacionit të Komisionit Evropian, Lohan ishin në Peshkopi, ku pas një takimi me kryebashkiakun Krosi inspektuan zyrën e gjendjes civile për të parë nga afër funksionimin e procesit të aplikimit për letërnjoftime elektronike dhe pasaporta biometrike. Në prani të Lohan, ministri Basha nënvizoi se pajisja e qytetarëve shqiptarë më pasaportat e reja biometrike është garancia më e mirë për heqjen e vizave nga Komisioni Evropian brenda një kohë të shkurtër.
“Ju jeni dëshmitarë të mirëfunksionimit të sistemit të aplikimit për pasaporta dhe letër njoftime, i cili është një nga sistemet më të sigurta dhe më efiçentë, që siguron në të njëjtën kohë edhe mbrojtjen e të dhënave. Përfitoj nga rasti t’i bëj thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë të përshpejtojnë procesin e pajisjes me pasaporta biometrike, pasi kjo është garancia më e mirë për të ecur sa më shpejt drejt momentit të heqjes së vizave me BE”, u shpreh Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha.
Basha deklaroi gjithashtu se do të vazhdojë puna me të njëjtin përkushtim për të përmbushur edhe atë pjesë të detyrave që përcakton udhërrëfyesi në mënyrë që brenda një kohe të shkurtër ekspertët e Komisionit Evropian të mund të verifikojnë plotësimin e kritereve nga Shqipëria për liberalizimin e vizave.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›