Pas Edi Ramës, edhe talebanët e Afganistanit shprehen për bojkot, nuk do votojnë në balotazhin e 7 nëntorit

Bota është shumëpolare e ka plot kolorit dhe vëzhguesit e mediave, edhe pse e ndjekin me vëmendje situatën e rënduar në Afganistan, u qetësuan disi kur morën vesh se kishte një palë përfaqësuese të politikës së ditës atje, e cila kishte vendosur të bojkotonte balotazhin presidencial të 7 nëntorit. Janë fiks talebanët, lëvizjet parakamikaze të Al Kaedës, të cilat kontrollojnë zona të gjera tribale të vendit dhe i kanë shpallur një luftë të papajtueshme Perëndimit, që kanë njoftuar se do të bojkotojnë presidencialet e 7 nëntorit, duke i cilësuar “kukulla amerikane”, si presidentin në detyrë, Hamid Karzai, ashtu edhe sfidantin e tij A. Abdullahu. Vendimi për bojkot i talebanëve është krejt i pritshëm, pasi dihet se ata s’e pranojnë nocionin e demokracisë e nuk tolerojnë asgjë tjetër perëndimore, dhe synojnë rikthimin në pushtet përmes metodave me të cilat morën kontrollin e plotë të Afganistanit në 1996, përmes vrasjeve, terrorit e bombardimit me raketa të çfarëdolloj strukture artistike (Budat e Bamiyanit), shtetërore e fetare që s’ka lidhje me besimin salafist.
Por ky vendim ka njëfarë domethënieje edhe për vëzhguesit shqiptarë të politikës së ditës, të cilët tashmë kanë mundësi që kur flasin për Edi Ramën dhe lëvizjen e tij të bojkotimit të të gjitha institucioneve të vendit, të numërojnë se ka edhe një precedent tjetër në vitin 2009. afërmendsh ai nuk gjendet në Evropë, as në SHBA, bile as në Amerikën Latine ku gjallon Çavezi. Nuk gjendet as tek republikat ish-sovjetike të Azisë Qendrore, nuk gjendet as tek partitë politike të Afganistanit. Bojkoti gjendeti si filozofi politike tek talebanët tribalë të Afganistanit, paradhoma politike e Al Kaedës.