E Diel, 1 Nëntor 2026

Kreu i socialdemokratëve gjermanë: Shpresoj që Rama të fitojë zgjedhjet e ardhshme

Share

Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama zhvilloi në Gjermani vizitën e shtyrë të tij për shkak të tragjedisë së ndodhur në Himarë.

Gjatë kësaj vizite një ditore, Edi Rama u takua edhe me Presidentin e Parlamentit, Norbert Lammert.

Mbaj mend mirë jemi takuar në Tiranë disa vite më parë. Ne ndamë perceptimet tona sa i takon perspektivës europiane të Shqipërisë. Unë gjithmonë e kam thënë që Shqipëria në këndvështrimin tim dhe në këndvështrimin e shumicës dërrmuese së parlamentit gjerman i përket Europës, por ka nevojë që të implementojë kriteret e nevojshme në mënyrë që të mos jetë thjesht pjesë e Europës, por që të bëhet një kandidate serioze për Bashkimin Europian, tha Lammert.

Një tjetër takim i rëndësishëm i Kryetarit të PS Rama ishte edhe ai me Kryetarin e Partisë Social Demokrate gjermane, zotin Sigmar Gabriel. Zoti Gabriel e ftoi kryetarin e PS, Rama, për të marrë pjesë në përvjetorin e 150 të krijimit të SPD gjermane.

Kryetari i SPD Sigmar Gabriel pas takimit me homologun e tij shqiptar tha se shpreson që Rama të fitojë zgjedhjet e ardhshme dhe të dyja forcat politike të punojnë së bashku: Jam shumë i lumtur të takoj kolegun tim këtu në Gjermani në Berlin dhe mendoj se ne duhet të punojmë bashkë në vitet që vijnë edhe për çështjet evropiane po gjithashtu shpresoj që Rama të fitojë zgjedhjet e ardhshme dhe ne po ashtu në Gjermani. Situata në Shqipëri është e vështirë unë e di, dhe ne do të bëjmë gjithë çfarë mundemi të bëjmë për të mbështetur zhvillimet demokratike, sociale dhe ekonomike. Përsëris jam i lumtur që pata mundësinë të takoj Edi Ramën në Gjermani.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›