E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria merr presidencën: Kosova të pranohet në Këshillin e Europës. Britania: Ende herët

Share

Shqipëria mori sot presidencën e Këshillit të Europës nga Britania e Madhe. Vetë Këshilli i Europës në njoftimin për shtyp thekson faktin se Shqipëria ka kërkuar më shumë përfshirje të Kosovës gjatë presidencës shqiptare. Siç raporton agjencia Ansa, ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto, kërkoi anëtarësimin e Kosovës në KiE. Por homologu i tij britanik, Uilliam Hejg, i cili i dorëzoi presidencën, tha se është ende herët për të folur për anëtarësimin e Kosovës në KiE, pasi janë 14 vende të KiE që nuk e kanë njohur atë.

Ndërkohë, Sekretari i Përgjithshëm i KiE, Thorbjorn Jagland, që pritet të vizitojë Shqipërinë ditën e nesërme, mori si dhuratë nga ministri Haxhinasto një kostum popullor shqiptar. Vetë Jagland tha se gjatë presidencës shqiptare duhet punuar më shumë për të drejtat e njeriut. Korrupsioni, mungesa e gjyqësorit të pavarur dhe sulmet mbi median e minoritetet janë akoma problem. Po ashtu Këshilli i Europës nuk ka akoma prezencë në disa vende problematike si Bjellorusia, duke lënë një vrimë të zezë në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, tha Jagland.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›