E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krijimi i FSK-së në Kosovë, bisedime me udhëheqësin e TMK-së



Ministri i sapoemëruar i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Fehmi Mujota, u takua me komandantin e Trupave Mbrojtëse të Kosovës, gjeneral lejtnant Sulejman Selimin, për transformimin e TMK-së dhe përfshirjen e pjesëtarëve të saj në forcën e ardhshme të sigurisë. Dy udhëheqësit e lartë u pajtuan se forca kosovare e sigurisë duhet të jetë një forcë që do të aplikojë standardet më të larta profesionale, ndërsa kanë konstatuar se transformimi i TMK-së do të jetë proces shumë i vështirë, pasi shumë pjesëtarë të këtyre trupave nuk do të jenë pjesë e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Komandanti i TMK-së Selimi ka kërkuar që të gjithë pjesëtarët e TMK-së që nuk do të jenë pjesëtarë të FSK-së të trajtohen në mënyrën më të mirë të mundshme. Ai ka kërkuar që Qeveria të hartojë sa më shpejt ligjin për pension të parakohshëm të pjesëtarëve të TMK-së. Ai po ashtu tha se për këtë ka marrë premtimet e ministrit të FSK-së dhe të Zyrës së koordinatorit ndërkombëtar të TMK-së dhe faktorëve të tjerë ndërkombëtarë.

Gruevski kundër ndryshimeve kushtetuese për presidentin

Partia në qeveri, VMRO-DPMNE e kryeministrit Nikolla Gruevski nuk do të kërkojë ndryshime kushtetuese për zgjedhjen e presidentit nëpërmjet Parlamentit. Gruevski paralajmëroi se dëshiron që të ballafaqohet në zgjedhje presidenciale me partinë opozitare Lidhjen Social Demokrate, kandidati i së cilës Branko Cërvenkovski ushtron postin e presidentit. Ideja për zgjedhjen e presidentit nëpërmjet shumicës absolute të Parlamentit u mbështet edhe nga BDI-ja. Lideri i kësaj partie, Ali Ahmeti deklaroi se është më mirë që presidenti të zgjidhet nëpërmjet shumicës parlamentare. Gruevski paralajmëroi se dëshiron që t`i masë forcat në zgjedhje me LSDM-në, ndërsa i bëri thirrje presidentit Cërvenkovski që të dalë në zgjedhje dhe të përballet me konceptet politike të të dyja kampeve politike.

7 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›