E Shtunë, 31 Tetor 2026

Programi i ri për Olivokulturën do të mbishtesë zhvillimin e industrisë së vajit

Programi i ri për zhvillimin e olivokulturës në vendin tonë do të mbështesë dhe nxisë industrinë e prodhimit të vajit të ullirit. Burime nga Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit bënë të ditur se realizimi i programit të ri për shtimin e sipërfaqeve me 20 milionë rrënjë ullinj të rinj, në 4 vjetët e ardhshëm do të rrisë ndjeshëm prodhimin e ullirit në Shqipëri, që do të kërkojë dhe mirëmenaxhim efiçent të kësaj kulture. Duke iu referuar “historisë“ së ullirit në Shqipëri, ekspertët e bujqësisë shpjegojnë se, në këto 50 vite zhvillimi i ullishteve, nuk ka marrë parasysh harmoninë e kushteve klimaterike dhe materialit gjenetik është shpërndarë i pa klimatizuar. Kështu sipas tyre, ulliri i Beratit është mbjellë në Lushnje apo ulliri i Sarandës në Fier, duke ndikuar në uljen e prodhimit dhe degradim e shpejtë të kësaj bime. "Në këtë situatë që jemi tani, theksojnë ekspertët, një nga drejtimet kryesore të programit të ri do të jenë krijimi i ullishteve të reja  dhe rehabilitimi i atyre ekzistuese me qëllim rritjen e prodhimit të ullirit për treg dhe konsum familjar, si dy nga drejtimet bazë të shfrytëzimit të ullirit ”. Sipas këtij programi 70-75% e prodhimit të ullirit parashikon të shkojë për treg dhe 25% për vetëkonsum, ndërkohë që një komponent i rëndësishëm i programit do të jetë nxitja e industrisë së vajit në vendin tonë. Ulliri zë një sipërfaqe rreth 40.000 ha në shkallë vendi dhe prodhohen rreth 5500 ton vaj ulliri, duke mos plotësuar kërkesat ne rritje,  për këtë produkt. Akualisht, nga prodhimi i vendit sigurohet vetëm 8% e vajit për konsum, ndërsa pjesa tjetër importohet, duke rritur edhe koston e tij. Por, krijimi i ullishteve të reja parashikon rritje të prodhimit dhe do të kërkojë shtimin edhe me 120 linja të reja përpunuse duke  plotësuar kështu jo vetëm kërkesat e tregut vendas por dhe për eksport.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›