E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sot promovimi i trashëgimisë kulturore

Data 18 prill është njohur botërisht si Dita Ndërkombëtare e Monumenteve dhe Siteve Arkeologjike, pas miratimit në vitin 1983 në Konferencën e Përgjithshme të UNESCO-s. Kjo ditë cilësohet si një mundësi më shumë edhe për trashëgiminë kulturore shqiptare, e cila tashmë është pjesë e trashëgimisë kulturore evropiane dhe botërore si në rastin e Gjirokastrës, Butrintit, Isopolifonisë dhe qytetit muze të Beratit. Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në kuadër të festimit të kësaj dite, si dhe në përputhje me qëllimin për të cilin kjo ditë është përcaktuar ka organizuar një sërë aktivitetesh në rang vendi në institucione kombëtare të trashëgimisë si: Parqet Kombëtare Arkeologjike, në Muzetë Kombëtarë dhe Drejtoritë Rajonale të Monumenteve të Kulturës. Nëpërmjet aktiviteteve të planifikuara, synohet promovimi i trashëgimisë kulturore, por edhe të sensibilizojë opinionin për vlerat e saj. Vizitorët shqiptarë sot mund të shohin nga afër, pa pagesë, muzeumet dhe parqet arkeologjike të vendit. Nga MTKRS bëhet e ditur se në drejtim të promovimit të trashëgimisë kulturore shqiptare, janë planifikuara një sërë aktivitetesh kulturore, jo vetëm për sot, por edhe në ditët e tjera kushtuar kulturës si 18 maji, Dita Ndërkombëtare e Muzeve, 21 maji, Dita e Diversitetit kulturor sipas Konventës së UNESCO-s, firmosur dhe nga  Shqipëria, etj. Këto aktivitete synojnë ndërgjegjësimin e qytetarëve ndaj vlerave të kulturës sonë si dhe mirëmbajtjen e  monumenteve të lëna pas dore. Ndërkohë që MTKRS ka hartuar një plan të gjerë për mirëmbajtjen dhe restaurimin e vlerave të trashëgimisë kulturore në të gjithë vendin. Krahas qytetit të Beratit dhe Gjirokastrës, që bëjnë pjesë në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s, në projektet e MTKRS janë përfshirë edhe qytete të tjera si Korça, Vlora, Shkodra, Dibra, Elbasani, Durrësi dhe Tirana.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›