Krijohet Koalicioni për mbrojtjen e fëmijëve në zonat e përmbytura
ZMK, minibashkia Nr.10, nismë të veçantë për të ndihmuar fëmijët e përmbytur në Shkodër Zyra e Mbrojtjes së Konsumatorit, Këshilli Rinor Shqiptar si dhe Njësia Bashkiake nr. 10 në Tiranë, kanë krijuar koalicion për Mbështetje Sociale të Fëmijëve në Zonat e përmbytura (KMSF), si shenjë solidarizimi me bashkëqytetarët në zonat e Veriut. Ky koalicion konsideron të nevojshme krijimin e një skuadre operative në terren me vullnetar të KMSF-së, e cila do të ofrojë mbështetje sociale dhe aktivitete rekreative për fëmijët në zonat e përmbytura në
Veri të Shqipërisë. Gjithashtu ky koalicion ka si qëllim organizimin e një fushate solidariteti me komunitetin e njësisë bashkiake Nr.10, për dhurimin e librave për fëmijët, lodra materiale didaktike dhe sportive si dhe libra shkollorë. Kështu për realizimin e të gjitha këtyre, plot 32 anëtarë të koalicionit kanë mbajtur një mbledhje në ambientet e Njësinë Bashkiake Nr 10. Ky Koalicion u krijua fillimisht nga Njësia Bashkiake Nr. 10 Tiranë, Këshilli Rinor Shqiptar (organizatë ombrellë e OJF Rinore) dhe Zyra për Mbrojtjen e Konsumatorëve dhe tashmë është zgjeruar me dhjetar organizata joqeveritare dhe subjekte të tjera private dhe publike që duan të ofrojnë shërbime dhe mbështetje për fëmijët në zonat e përmbytura.Aktiviteti dhe propozimet Në mbledhjen e parë të këtij koalicioni është diskutuar Zgjerimi i Koalicionit me të gjithë aktorët që operojnë në këtë fushë apo që duan të kontribuojnë duke synuar optimizmin e kontributeve të fokusuar në aspektin social pa ndërhyrë në mbështetjen materiale e cila mbetet një prioritet i banorëve në ato zona; Krijimi i skuadrave operative në terren me vullnetarë të Koalicionit, skuadra të cilat do të ofrojnë mbështetjen sociale dhe aktivitete rekreative për fëmijë duke përfshirë në pjesën e parë të krizës fëmijët në qendrat e pritjes kolektive dhe pas rënies së ujërave edhe në fshatrat e përmbytura. Për këtë qëllim do të përdoret Qendra e Lëvizshme IfoBus Njësia 10, i cili është një automjet i përshtatur për zyrë për punë në terren e cila do të shërbejë edhe si kinema e lëvizshme, teatër kukullash i lëvizshëm, bibliotekë e lëvizshme, qendër didaktike e lëvizshme, etj. Gjithashtu, gjatë mbledhjes së ditës së djeshme u diskutua dhe organizimi i një fushate solidariteti me qytetarët shqiptarë duke filluar me komunitetin e Njësisë Nr. 10 dhe më gjerë, për dhurimin e librave për fëmijë, lodra, materiale didaktike dhe sportive si dhe librave shkollorë. Ngritja e një infrastrukture paraprake për rekrutimin dhe organizimin e vullnetarëve nga e gjithë Shqipëria të cilat do të angazhohen pas rënies së ujërave për të ndihmuar në pastrimin dhe rehabilitimin e shkollave të përmbytura, dhe së fundi krijimi i një programi afatgjatë mbështetjeje për fëmijët në zonat e përmbytura duke përfshirë edhe aftësimin për jetën dhe aktiviteti rekreative në vazhdim.Koalicioni për situatën Nga të dhënat e mbledhura në terren nga koordinatorët e Këshillit Rinor ka rezultuar se fëmijët janë pjesa më vunerabël e popullsisë së goditur nga këto përmbytje natyre dhe ata po përballen çdo ditë me një situatë shumë të vështirë përfshirë të ftohtin, lagështirën, dietën e kufizuar nga kushte objektive, mungesën e kushteve të përshtatshme për shkollim dhe mësim, mungesën e vëmendjes së prindërve si pasojë e stresit dhe angazhimeve të tyre rrethanore, si dhe humbjeve të pariparueshme dhe të riparueshme të bazës materiale didaktike dhe rekreative në kushtet shtëpiake, shkollore apo komunitare. Gjithashtu duke pasur parasysh situatën e rënduar psikologjike që ata i rrethon, ndihet rreziku që në raste të caktuara tek fëmijët të mbeten pasojat psikologjike të kësaj gjendej.Ajo që vihet re për momentin është se si në çdo rast katastrofash natyrore, fëmijët kanë nevojë për një përkujdesje të veçantë sidomos në rastet kur ata kanë humbur apo u janë dëmtuar shtëpitë dhe ndodhen në qendra pritjeje kolektive. Duke qenë se Kryetari i Njësisë Nr.10 Blendi Fuga ka qenë një ndër ekspertët e njohur në organizimin e punës dhe trajtimin e fëmijëve në terren në raste krizash humanitare siç ka qenë eksperienca e tij në vitin 1999 gjatë kohës së krizës së Kosovës, ai thirri dy organizata shumë aktive në organizim dhe pjesëmarrje përkatësisht Këshillin Rinor Shqiptar dhe Zyrën për Mbrojtën e Konsumatorëve (e njohur për rolin e saj aktiv në organizimin në terren) për të ngritur një skuadër të shoqërisë civile e cila duhet të punojë në terren për të ofruar shërbime mbështetje sociale për fëmijët në qendrat e pritjes.Liri Mëhalla
Last Updated on E Marte, 12 Janar 2010 23:06