E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dimri i ftohtë izolon disa fshatra në rrethin e Korçës

Dëbora dhe i ftohti polar mësyjnë juglindjen, probleme në qarkullimin e automjeteve dhe rrugë të izoluara. Dimri i ftohtë i këtyre ditëve ka rikthyer rrugët e bllokuar dhe disa fshatra të izoluar krejtësisht në qarkun e Korçës. Më shumë se 3 mijë banorë gjenden të bllokuar nga i ftohti polar, ndërsa nuk dihet për sa kohë do të vazhdojë kjo gjendje e porsa rishfaqur. Sasia e dëborës e rënë gjatë natës së kaluar, ka krijuar probleme në akset kombëtare por dhe aty

dytësore në qarkun e Korçës. Burimet zyrtare të Shtabit të Emergjencave Civile pranë institucionit të prefektit, bëjnë të ditura për gazetën se sasia e reshjeve ka kaluar të 30 centimetrat, ndërkohë që raportohet për një zonë me disa fshatra të izoluar, në fshatrat e Vithkuqit. Kështu gjatë të martës aksi nacional Korçë-Ersekë në Qafën e Qarrit ka qenë fillimisht i bllokuar, ndërsa kalimi aktualisht bëhet vetëm me zinxhirë. Shtresa e dëborës në këtë segment dhe konkretisht në disa kilometra të Qafës së Qarrit është tejet i vështirë duke krijuar probleme në qarkullimin normal të mjeteve. Disa dhjetar ton kripë dhe skorie janë hedhur gjatë orëve të paradites të martës, por nuk është bërë i mundur zhbllokimi i plotë i këtij aksi. Ndërkaq rezulton të jetë i pakalueshëm segmenti Korçë-Dardhë në afro 5 kilometra të tij. Kështu zona e Dardhës dhe Arës janë të izoluara nga dëbora, ndërsa pritet që në harkun e 24 orëve të hapen rrugët në këtë zonë, megjithëse reshjet e dëborës vazhdojë të bien me intensitet të lartë. Gjithashtu duke iu referuar të njëjtave burime zyrtare edhe aksi Korçë-Vikthkuq në rrethin e Korçës, është i kalueshëm vetëm me zinxhirë. Në këtë aks nuk është punuar aspak gjatë të martës, megjithëse trashësia e dëborës është e konsiderueshme. Banorët e kësaj zone të njohur turistike i kanë ndërprerë lëvizjet drejt kryeqendrës së juglindjes nga frika e izolimit në rrugë, por mund të udhëtojnë në këtë segment me mjete që janë të pajisura vetëm më zinxhirë, në të kundërt jeta e tyre rrezikohet së tepërmi. Më serioze paraqitet gjendja në fshatrat Panarit, Grabockë, Orgockë, Shtyllë etj., pjesë e komunës së Vithkuqit banorët e të cilave rezultojnë të jenë izoluar nga moti i ftohtë me reshje dëbore duke humbur çdo komunikim në 48 orët e fundit, të cilat janë dhe më të ftohtat e kësaj stine dimri në Korçë. I. Frasheri

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›