Nuk raportohet rritje e nivelit të sëmundshmërisë te banorët
12/01/2010 Situata shëndetësore për të gjitha zonat e rrezikuara
Kontrollet e kryera nga institucionet shëndetësore në zonat e rrezikuara nga përmbytja nuk janë shoqëruar me rritje të nivelit të sëmundshmërisë te banorët e këtyre zonave. Sipas të dhënave të raportuara nga Instituti i Sigurimeve dhe Kujdesit Shëndetësor pas monitorimit të bërë, vijon dhënia e shërbimit sipas grafikut mjekësor të hartuar për të gjitha zonat 24 orë pa ndërprerje, duke përfshirë këtu edhe shpërndarjen e medikamenteve e të materialeve të tjera shëndetësore. Ndërkohë për popullatën e evakuar janë përcaktuar grupe të caktuara mjekësh, që do të jenë në shërbim të tyre për çdo komplikacion shëndetësor që do të shfaqet. Në raportin e hartuar theksohet se në komunat Dajç, Ana e Malit, Guri i Zi, Velipojë dhe Bushat vijon praktika e dhënies së shërbimit pa ndërprerje, si dhe ka përfunduar tashmë furnizimi me barna e materiale të tjera mjekësore. Ndërsa në komunën e Bërdicës banorëve të fshatit Trush u jepet shërbimi në qendrën shëndetësore Bërdicë e Poshtme, ndërsa pasditeve shërbehet nga mjeku i familjes (që është vendas) dhe infermieret. Po ashtu janë siguruar edhe ekipet e vazhdueshme mjekësore, që do të ofrojnë kujdesin shëndetësor në pikat ku është bërë grumbullimi i banorëve të evakuar, për të cilët pohohet se pas vizitave të bëra gjendja shëndetësore e banorëve paraqitet në kontroll dhe e qetë lidhur me sëmundshmërinë. Përjashtim në këtë rast është bërë vetëm për një paciente shtatzënë, e cila është transportuar për kontroll të specializuar pranë maternitetit të qytetit të Shkodrës. Ndërsa për të garantuar banorët nga mosmarrja e infeksioneve apo problemeve të tjera po bëhet klorinimi i ambienteve përreth, si dhe është bërë largimi i mbeturinave nga ambientet ku ata po qëndrojnë. Drejtuesit e këtyre qendrave shëndetësore kanë raportuar se aktualisht disponohen medikamentet e nevojshme për situatën e krijuar, medikamente të cilat u janë shpërndarë të gjitha poliklinikave, si për komunat, ashtu dhe për qendrat shëndetësore të qytetit. Ndihma mjekësore do të jetë e vazhdueshme, veçanërisht për pacientët e sëmurë kronikë, sipas kalendarit për trajtimin e tyre shëndetësor. Për të ndihmuar banorët, një sërë subjektesh private farmaceutike kanë dhuruar një sërë sasish me medikamente të domosdoshme për trajtimin mjekësor të banorëve.
Tabela
Strehimi
·Në konviktin e shkollës pedagogjike janë strehuar 5 persona të ardhur nga komuna e Bërdicës
·Në konviktin e shkollës industriale janë strehuar 226 persona të ardhur nga komuna e Gurit të Zi, fshati Kuç.
·Në konviktin e shkollës artistike janë strehuar 58 persona të ardhur nga lagjja “Kiras” e qytetit.
·Në ambientet e hotel turizmit janë strehuar 70 persona që nuk shfaqin probleme.
·Pranë ambienteve të repartit ushtarak Rrenc janë strehuar rreth 150 persona nga zona të ndryshme.