Krijohet partia e Spartak Ngjelës, PLiDr
TIRANE – Deputeti demokrat Spartak Ngjela krijon partinë “Ligj dhe Drejtësi”. Gjykatësja kryeqytetase Blerina Muça, ia pranoi dje kërkesën grupit nismëtar për krijimin e kësaj partie, duke vendosur regjistrimin si person juridik të saj në Regjistrin e Partive Politike pranë Gjykatës së Tiranës, me inicialet “PLiDr”. Po kështu, në vendim gjykata u shpreh se kryetar i Partisë “Ligj dhe Drejtësi” është zgjedhur Spartak Ngjela, selia e Partisë është në Tiranë, Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, Kullat Binjake, si dhe partia ka vulën, logon, flamurin dhe stemën e saj. Gjykata u shpreh në vendim se një grup nismëtarësh, në cilësinë e anëtarëve themelues, janë mbledhur në Durrës dhe, pas një diskutimi të gjerë, kanë vendosur krijimin e PLiDr, parti e cila do të përfaqësojë alternativën e saj në spektrin e qendrës së djathtë të politikës shqiptare. Po në këtë mbledhje është vendosur krijimi i partisë dhe janë miratuar Statuti dhe Programi i saj, duke u zgjedhur organet drejtuese të përkohshme, ku midis të tjerëve dhe kreu i saj. Më tej, gjykata argumentoi se PLiDr është një organizatë politike e krijuar, në konformitet të plotë dhe në respektim të ligjeve në fuqi. fa.ma