Dosjet, KE: Kushtetuesja na lehtësoi
ADI SHKEMBI
Këshilli i Evropës vlerëson vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të pezulluar zbatimin e ligjit të dosjeve, deri në marrjen e një vendimi përfundimtar. Një ditë pasi nëntë anëtarët e kësaj gjykate vendosën të mos lejojnë ngritjen e Autoritetit të Kontrollit të Figurave, dy raporterët e KE-së, të cilët ishin në Tiranë, përshëndetën vendimin. Sipas një njoftimi për shtyp, të publikuar në faqen zyrtare të Këshillit të Evropës, grupi i reporterëve të Komitetit Monitorues të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE) për Shqipërinë i përbërë nga Jaakko Laakso (Finlanda) dhe David Ëilshire (Mbretëria e Bashkuar) deklaroi se “Vendimi i Gjykatës Kushtetuese shqiptare për të pezulluar zbatimin e ligjit të diskutueshëm të Lustracionit është një zhvillim i mirëpritur”. “Gjykata ka përdorur fuqinë e saj për të pezulluar zbatimin deri sa të merret vendimi final mbi ankesat e paraqitura nga Partia Socialiste, Shoqata e Gjyqtarëve dhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit”, shtuan ata. Grupi i raporterëve u takua me Vladimir Kriston, kryetarin e Gjykatës Kushtetuese në Tiranë gjatë javës së kaluar. Me këtë rast ata i kërkuan gjykatës t’ia referojë ligjin Komisionit të Venecias së Këshillit të Evropës për t’u këshilluar mbi përputhjen e tij me ligjet evropiane, principet dhe standardet demokratike dhe të drejtat e njeriut. “Ata shprehën kënaqësinë e tyre mbi vendimin e gjykatës.
Duke komentuar mbi njoftimin e gjykatës, grupi i reporterëve tha se ata ishin të lehtësuar që ishte gjetur një mënyrë për të bërë një shkëputje për të reflektuar mbi detajet e këtij ligji shumë të diskutueshëm”, thuhet në deklaratën e Këshillit të Evropës. Raporteri Wilshire theksoi më tej qëndrimin e Këshillit të Evropës se ky institucion nuk është kundër miratimit të një ligji lustracioni, por ligji aktual ka nevojë për ndryshime. “Askush nuk po thotë se Shqipëria nuk duhet të ketë një ligj lustracioni apo diçka të ngjashme dhe ekspertët po ofrojnë ndihmën e tyre për zbatimin e një ligji të tillë. Sidoqoftë disa nga detajet e ligjit aktual vërtet që kanë nevojë për modifikime”, deklaroi Ëilshire. Dy raporterët e Këshillit të Evropës erdhën pak ditë më parë në Shqipëri, ku i kërkuan qeverisë që të mos zbatonte ligjin e Dosjeve deri në momentin që të ketë dhënë mendim Komisioni i Venecias dhe Gjykata Kushtetuese. “Kemi bashkëpunuar me Shqipërinë dhe në kohë më të vështira, por është shumë e habitshme që këtë radhë qeveria e Shqipërisë nuk ishte e gatshme për të bashkëpunuar me konsensus për të riparë ligjin e Lustrimit me organizma ndërkombëtarë si KE. Ndaj mendojmë se nuk është me vend që KE të rishohë ligjin. Ne mendojmë t’i kërkojmë një opinion Komisionit të Venecias në lidhje me përmbajtjen e ligjit të Lustrimit”, deklaroi Laakso, njëri prej raporterëve.
Berisha: Vendimi, i paprecedent
Kryeministri Berisha e ka konsideruar sërish dje si të paprecedentë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të pezulluar zbatimin e ligjit të Dosjeve. Në një takim me Ministrin e Shtetit të Britanisë së Madhe përgjegjës për policinë, krimin dhe sigurinë, Vernon Coaker, kreu i qeverisë përsëriti qëndrimin ndaj Kushtetueses. “Gjykata Kushtetuese, përmes disa gjyqtarëve tërësisht në konflikt të hapur interesi, që i përjashton nga procesi i rishikimit të ligjit, ka pezulluar zbatimin e ligjit, duke vendosur një standard të paprecedent në historinë e vendeve të lira”, theksoi Berisha. Ministri Coaker iu përgjigj Kryeministrit Berisha se është në nderin e qeverisë shqiptare dhe të Kryeministrit Berisha që, megjithëse ligji synon të rivendosë integritetin e moralit shoqëror, ka vendosur ta trajtojë atë në përputhje të plotë me parimet e shtetit ligjor.