E Diel, 1 Nëntor 2026

Krim lufte apo hakmarrje politike?

Autori i Lajmit: Nga Mehmed Haliloviq

Arrestimi i anëtarit të Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës nga koha e luftës, Ejup Ganiq, në Londër, me kërkesë të Serbisë, ka shkaktuar një shtrëngatë në Sarajevë dhe plotësisht i ka mënjanuar të gjitha lajmet e mëparshme pozitive që dominonin në marrëdhëniet me Beogradin në dy muajt e parë të këtij viti. Në vend të trendit të përparimit të marrëdhënieve, ashtu si është paralajmëruar dhe pritur, në skenë sërish është diplomacia e shkëmbimit të lëvizjeve të tipit „nxehtë-ftohtë“ dhe paralajmërimet për hakmarrje dhe revanshe politike dhe të natyrave të tjera.Në grupin e parë të lajmeve pozitive nga janari dhe shkurti kemi mundur ti llogarisim edhe deklarimet e paradokohshme të presidentit të Serbisë, Boris Tadiq, se Beogradi plotësisht e përkrah integritetin territorial të BeH-së dhe se kurrë nuk do të pranojë referendumin për shkëputjen e Republika Srpskas. Deklarimet e tilla kanë mundur të dëgjohen edhe më parë në variacione të ndryshme, por kurrë në mënyrë kaq eksplicite në lidhje me çështjen e referendumit në Republika Srpska. Ndër lëvizjet pozitive Sarajeva llogarit edhe vendimin e Beogradit që më në fund të pranojë emërimin e ambasadorit të ri të BH-së në Serbi, i cili ka tre vjet që ka pritur agremanin. Dhe, më në fund, ndër sinjalet pozitive gjithsesi bën pjesë edhe marrëveshja mes dy shteteve për ndihmë juridike dhe marrëveshja për ekzekutimin e ndërsjellë të vendimeve gjyqësore, të cilën e nënshkruan në Beograd, më 27 shkurt, ministrat e BH-së dhe Serbisë, Borisha Çollak dhe Snezhana Maloviq, e që do të duhej tua pamundësojë personave të dënuar për vepra penale që ti shmangin sanksionet duke ikur nga njëri shtet në tjetrin.
Ky trend i shkrirjes së marrëdhënieve mes Sarajevës dhe Beogradit do të duhej të kurorëzohet me një vizitë kolektive të tre anëtarëve të Presidencës së BH-së në Beograd, para verës së ardhshme. Kjo do të kishte qenë praktikisht vizita e parë e tillë zyrtare në Serbi në mandatin e tanishëm të shefit kolektiv shtetëror të BH-së. Ajo vizitë deri tani askund publikisht nuk është paralajmëruar, por ishte duke u përgatitur me të madhe. Dy anëtarët e Kryesisë (boshnjaku Haris Silajxhiq dhe kroati Zhelko Komshiq) është e vërtetë se e kanë kushtëzuar vizitën me lëshimin e agremanit për ambasadorin e ri të BH-së në Beograd dhe miratimin e rezolutës për Srebrenicën në Kuvendin e Serbisë. Meqë agremani për ambasador ka arritur qysh më 8 shkurt, pasi u nënshkrua nga presidenti Tadiq, ndërsa miratimi i rezolutës për Srebrenicën është paralajmëruar për muajin prill, dukej sikur tashmë janë duke u hequr edhe dy pengesat e fundit.
Lajmet e këqija
Por, sikur që është bërë rregull, të gjitha lajmet e mira çfarë nuk kishte edhe aq shumë deri para pak kohe në lidhje me marrëdhëniet mes BH-së dhe Serbisë, shumë shpejt ua lëshojnë vendin lajmeve të këqija. Të njëjtën ditë kur ambasadori i ri i BH-së në Serbi, Borisha Arnaut, hyri në ndërtesën e Ambasadës së BH-së në Beograd, ish-anëtari i Presidencës së luftës, Ejup Ganiq, u njoftua në Londër se është nën arrest – sipas fletarrestimit të Serbisë. Që të dy këto ngjarje ndodhën të hënën, më 1 mars, në Ditën e Pavarësisë së BH-së (të cilën serbët në BH nuk e festojnë dhe nuk e pranojnë) dhe në ditën kur para tribunalit të Hagës e nisi mbrojtjen e vet kryetari i kohës së luftës i Republikës Serbe, Radovan Karaxhiq, i akuzuar për gjenocid dhe krime lufte. Koincidenca kohore e këtyre ngjarjeve nuk duket të jetë e rastësishme dhe jashtë kontekstit politik për marrëdhëniet në rajon, e posaçërisht brenda BH-së. Sikur që lajmet e mira për raportet me Beogradin pjesërisht e relaksojnë skenën politike në Bosnjë-Hercegovinë, ashtu lajmet e këqija i sjellin dëm të pamatshëm dhe sërish ndërlikojnë marrëdhëniet e elitave lokale politike, boshnjake e serbe.
Ejup Ganiqi, vitin e kaluar, është vënë në listën e Prokurorisë serbe për krime lufte e cila ka nisur procesin kundër 19 zyrtarëve të lartë politikë dhe ushtarakë të BH-së nën dyshimin për gjoja krime lufte në rrugën „Dobrovoljacka“, në Sarajevë, më 3 maj të vitit 1992. Në atë listë janë anëtari kroat i Presidencës së luftës, Stjepan Klujiq, dhe disa gjeneralë dhe oficerë të Armatës së BH-së, në mesin e të cilëve edhe gjenerali Jovan Divjak) një serb, në atë kohë njeriu i dytë i Armatës së BH-së). Çka ka ndodhur vërtet në rrugën „Dobrovoljacka“, në Sarajevë, më 3 maj të vitit të parë të luftës? Pasi dy ditë më parë ushtria serbe në aeroport e kishte zënë rob presidentin e atëhershëm, Alija Izetbegoviq, bashkë me përcjelljen e tij, me ndihmën e forcave të OKB-së atë ditë është dashur të kryhet shkëmbimi i Izetbegoviqit të zënë rob me gjeneralin e APJ-së, Milutin Kukanjac. Gjatë ardhjes së kolonës ka ndodhur një konflikt i armatosur dhe forcat e Armatës së BH-së në atë rast kanë vrarë dhe zënë rob dhjetëra ushtarë të APJ-së.
Në maj të vitit të kaluar Prokuroria beogradase për krime lufte ka lëshuar fletarrestime të kuqe ndërkombëtare për 19 zyrtarët e akuzuar nga BH-ja, por me intervenimin e ministrit të atëhershëm të sigurisë të shtetit, Tarik Sadoviq, Interpoli shpejt i ka tërhequr ato. Marrë parasysh që Beogradi nuk ka mundur ti përtërijë fletarrestimet e tërhequra, Serbia tani kërkesën e re që ua ka dërguar autoriteteve britanike e ka bazuar në marrëveshjen bilaterale që ka me Britaninë e Madhe.
Por, kur ia ka dërguar një kërkesë të tillë Serbia Londrës? Ejup Ganiqi ka udhëtuar në Britaninë e Madhe qysh të premten, më 27 shkurt, duke e udhëhequr një grup studentësh të cilët në Birmingham është dashur të merrnin diplomat e Universitetit, i cili është sponsor i universitetit privat të Ejup Ganiqit në Sarajevë (Sarajevo School of Sceince and Technology). Të premten, në aeroportin Heathrow ai është mbajtur vetëm për gjoja vërtetim. Tri ditë më vonë, kur është dashur të kthehej në Sarajevë, ai është arrestuar. Ndërkohë, nga Beogradi dhe nga Sarajeva arrinin informata konfuze rreth asaj nëse ai të premten vetëm ishte i marrë në pyetje, apo ishte i arrestuar, ose diçka krejt tjetër. Por, të shtunën ministrja serbe e Drejtësisë, Snezhana Maloviq, ka paralajmëruar se në afat prej 24 orësh do ti dërgojë kërkesën shtesë Britanisë së Madhe. Kërkesa, pra, është dërguar të dielën, që praktikisht është 48 orë pasi që ajo dhe ministri boshnjak i Drejtësisë, Borisha Çollak, e nënshkruan Marrëveshjen për ndihmë juridike dhe Marrëveshjen për zbatimin e vendimeve të ndërsjella gjyqësore mes Serbisë dhe BH-së, që hyri në fuqi të njëjtën ditë.
Ministrja serbe, Maloviq, e shkeli marrëveshjen, sepse, sipas deklaratës së ministrit boshnjak, Çollak, „Serbia nuk ka mundur të kërkojë arrestimin dhe dorëzimin e Ganiqit, sepse një gjë e tillë është në kundërshtim me këtë marrëveshje“. Ai thotë se kryesorja në këto raste shtetësia e personave të dyshuar për krime lufte dhe se ata individë mund të gjykohen vetëm në shtetin ku ata e kanë shtetësinë dhe vendbanimin, pa marrë parasysh se ku është kryer krimi për të cilin akuzohen. Pa dyshim se Ejup Ganiqi ka vendbanim dhe shtetësi të BH-së. Por, pyetja është nëse ai e ka shtetësinë edhe të Serbisë, meqë është i lindur në territorin e saj (Novi-Pazar, Sanxhak). Nëse e ka, atëherë kjo nuk do të përbënte shkelje të marrëveshjes së nënshkruar të premten. i biri i tij thotë se Ejup Ganiqi më parë ka pasur vetëm shtetësinë jugosllave dhe se nuk e ka shtetësinë serbe. Ndërkohë, të martën, Prokuroria boshnjake ka paralajmëruar se, duke u mbështetur në këtë marrëveshje të nënshkruar të premten, do të kërkojë nga Britania e Madhe dorëzimin e Ganiqit në Sarajevë.
Por, pa marrë parasysh bazën juridike apo keqpërdorimin e marrëveshjes së saponënshkruar, arrestimi i Ejup Ganiqit, i cili më 3 maj 1992, praktikisht ishte president i Presidencës së luftës së BH-së (Alija Izetbegoviq një ditë më parë ishte arrestuar dhe mbahej si peng për shkëmbimin me gjeneralët serbë në Sarajevë), kjo aferë do të lërë pas vetes pasoja afatgjata në marrëdhëniet mes dy vendeve dhe do ti vërë në hije të gjithë hapat dhe paralajmërimet pozitive të javëve të kaluara.
Hakmarrja e Tadiqit
Shumica e vendimeve pozitive të Beogradit nga janari dhe shkurti kanë ardhur pas ofensivës diplomatike të ministrit të Jashtëm turk, Ahmed Davutoglu. Ai vjeshtën e kaluar në disa raste ka ndërmjetësuar personalisht mes Sarajevës dhe Beogradit dhe ka mbajtur takime ministrore me kolegët e tij nga BH-ja dhe Serbia. Rezultati më i madh i asaj diplomacie ishte vendimi i Beogradit që të pranojë kandidaturën e ambasadorit të BH-së nëBeograd pas gati tre vjetësh refuzimi. Borisha Arnaut është propozuar më 2007 për ambasador në Beograd, por kurrë nuk e mori agremanin. Besohet se Serbia e ka refuzuar meqë ai ka qenë ndihmës i ministrit të Punëve të Brendshme të BH-së në kohën e luftës dhe në atë periudhë kishte nënshkruar vendimet për dhënien e shtetësisë muxhahedinëve arabë në BH. Pas gati dy vitesh, kur u bë e qartë se Beogradi nuk e pranon kandidatin e propozuar, Sarajeva propozoi një emër tjetër për ambasador. Ishte ky Sead Avdiq, ish-deputet në Parlamentin e BH-së nga Tuzlla, por Beogradi as atij nuk ia dha agremanin. Mediat beogradase dhe ato sarajevase spekulonin se ky refuzim i ri erdhi për shkak të gjoja përfshirjes së kandidatit në krimet e luftës në rastin „kolona e Tuzllës“, në maj të vitit 1992. Shpjegimi zyrtar nga Beogradi kurrë nuk është dhënë për publik.
Ndërkohë, nga mesi i janarit të këtij viti, ministri turk i Punëve të Jashtme, Ahmed Davutoglu e njoftoi Sarajevën se Serbia është e gatshme që megjithatë tia japë agremanin kandidatit të parë për ambasador – Borisha Arnautit – nëse këtë gjë e pranon BH-ja. Ky paralajmërim është pritur pozitivisht dhe është interpretuar si hap pozitiv në trendin e përgjithshëm të shkrirjes së marrëdhënieve. Sarajeva natyrisht e pranoi ofertën dhe Borisha Arnauti, i cili vitin e kaluar mori detyrën e konsullit të përgjithshëm të BH-së në Munich, u urdhërua që të kthehej dhe në afat prej vetëm tri ditësh të merrte detyrën e ambasadorit në Beograd. As Sead Avdiqi nuk u la në lloç, andaj ai njëkohësisht u emërua për ambasador të BH-së në Indi.
Dhe kur gjithçka dukej se do të mbetet në shenjë të lajmeve pozitive, pikërisht në ditën e marrjes së detyrës së ambasadorit të BH-së në Beograd, në Londër u arrestua Ejup Ganiqi. Pse ndodhi kjo tani, mundemi vetëm të supozojmë. Ejup Ganiqi pas luftës disa herë zyrtarisht e ka vizituar Beogradin, por thuhet se atij vetëm një herë, më 1996, Slobodan Milosheviq ia përmendi çështjen: „Po të mos ishe përzier ti, Fikret Abdiqi do të kishte marrë Presidencën dhe Bosnjë- Hercegovina do të mbetej në Jugosllavi!“. Krimet e pretenduara të luftës, thotë Ganiq, askush nuk ia ka përmendur. Serbët e Bosnjës vërtet më vonë kërkonin nga Tribunali i Hagës që të procesonin rastin e rrugës „Dobrovoljacka“, por Prokuroria e Hagës e refuzoi këtë dhe rasti tani është në Prokurorinë e BH-së.
Ambasadori i BH-së në Beograd, Borisha Arnaut, është babai i këshilltarit të tanishëm të anëtarit boshnjak të Presidencës së BH-së, Haris Silajxhiq, i biri i tij Damir Arnaut, vitin e kaluar ishte kandiduar për ambasador të BH-së për Australi, dhe pas disa muajsh mori miratimin, por nuk shkoi në detyrë. Është interesant shpjegimi i Armautit të ri për atë se si Beogradi e ndryshoi qëndrimin befasisht dhe pranoi kandidatin e parë për ambasador nga Sarajeva. Duke folur për gazetën „Oslobodjenje“ javën e kaluar Damir Arnaut, mes tjerash, tha: „Këtu kishte vetëm dy mundësi – ose që BH-ja të poshtërohet dhe të ofrojë kandidatin e tretë, një gjë që kurrë nuk ka ndodhur në botën e diplomacisë, ose që Serbia ta ndryshojë vendimin e vet“. Por, në këtë intervistë ai tha edhe diçka që nuk duket edhe aq diplomatike. Duke u thirrur në fjalët e një diplomati amerikan të paemëruar, ai citoi amerikanin të ketë thënë: „Nëse arrini sukses, do të dalë se Silajxhiqi dhe Tadiqi për dy vite janë shikuar në sy dhe se Tadiqi ishte i pari që kapsiti sytë“.
Nëse ky shpjegim ka mbërritur deri tek Boris Tadiqi, një gjë që nuk duhet ta dyshojmë fare, nuk përjashtohet se viktima e parë e këtij vetëlavdërimi të çuditshëm publik ishte Ejup Ganiqi. Për hakmarrje, Beogradit nuk ka mundur ti jepet rast më i mirë sesa arrestimi i anëtarit të Presidencës së luftës, i cili atë ditë të 3 majit 1992 praktikisht e kishte detyrën e kryetarit në mungesë të Izetbegoviqit të arrestuar.
(Autori, ish kryeredaktor i gazetës sarajevase „Oslobodjenje“ në kohën e luftës dhe deri muajin e kaluar Avokati për median (Ombdusman) në Bosnjë-Hercegovinë)

Ky lajm është publikuar: 07/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›