Të gjitha tarifat për të legalizuar një objekt pa leje
Në bazë të ligjit të legalizimeve, banorët që kanë objekte pa leje do të paguajnë për truallin e zënë. Për parcelat ndërtimore jashtë vijave të verdha çmimi për një sipërfaqe deri në 100 m2 është 100 mijë lekë të rinj, për sipërfaqe deri në 200 m2 çmimi është 150 mijë lekë të rinj, për sipërfaqe deri në 300 m2 çmimi është 200 mijë lekë të rinj, për sipërfaqe deri në 400 m2 çmimi është 300 mijë lekë të rinj dhe për sipërfaqe deri në 500 m2 pagesa është 400 mijë lekë të rinj. Ndërsa për parcelat ndërtimore që ndodhen brenda vijave të verdha, banorët do të paguajnë për sipërfaqe deri në 100 m2, 200 mijë lekë të rinj, për sipërfaqe deri në 200 m2, 300 mijë lekë të rinj, për sipërfaqe deri në 300 m2, 400 mijë lekë të rinj dhe për sipërfaqe deri në 300 m2 banorët do të paguajnë sipas vlerës së tregut në çastin e kalimit të pronësisë. Përveç pagesës për truallin e zënë nga ndërtimi informal, banorët do të paguajnë dhe tarifën e shërbimit për të gjithë dokumentacionin që përgatitet nga ALUIZNI. Tarifa e shërbimit do të kushtojë 4 mijë lekë dhe kjo vlerë është e pandryshuar, pavarësisht sipërfaqes së ndërtimit, numrit të kateve apo destinacionit të përdorimit të objektit informal. Banorët do të duhet të paguajnë dhe për taksën e ndikimit në infrastrukturë. Kjo taksë llogaritet nga drejtoritë rajonale të ALUIZNI-t në përputhje me të dhënat ndërtimore të objektit informal. Taksa e ndikimit në infrastrukturë llogaritet duke ia referuar kostos mesatare vjetore të ndërtimit të banesave në m2 të publikuar nga Enti Kombëtar i Banesave në kohën e llogaritjes. Ndërsa për objektet me leje, por me shtesa informale, përqindja e taksës vendore të ndikimit në infrastrukturë do të aplikohet mbi vlerën e investimit të shtesës informale.
Në bazë të paketës financiare, objektet informale që kanë funksion social-ekonomik, vlera në lekë e parcelës ndërtimore do të llogaritet duke u bazuar në çmimin e tregut për m2 në momentin e kalimit të pronësisë. Për objektet informale me funksion të përzier, pra që përdoren për banim dhe për funksione ekonomike, për të llogaritur vlerën e parcelës ndërtimore do të aplikohet koeficienti i shfrytëzimit të banesës. Sipërfaqja që përdoret për banim do të paguhet me vlerat e parashikuara në ligjin e legalizimeve, ndërsa sipërfaqja që përdoret për aktivitete ekonomike do të paguhet sipas vlerës së tregut në momentin e kalimit të pronësisë. Likuidimi i vlerës së parcelës ndërtimore do të bëhet menjëherë për të gjitha objektet me funksion social-ekonomik në numrin e llogarisë bankare të hapur për këtë qëllim nga ALUIZNI. Ndërsa për objektet informale me funksion banimi dhe funksion të përzier, likuidimi i parcelës ndërtimore mund të kryhet në disa mënyra. Në rast se pagesa kryhet menjëherë, pronari i objektit pa leje përfiton 20% zbritje të vlerës për sipërfaqen totale të parcelës. Një variant tjetër është pagesa brenda një viti me dy këste, ku kësti i parë të jetë jo më pak se 50% e vlerës, duke përfituar 10% zbritje në vlerën e këstit të dytë. ALUIZNI gjithashtu ka parashikuar dhe mundësinë e pagesës brenda tre viteve në rastet e pamundësisë së shlyerjes së këstit të dytë. Po kështu për shlyerjen e pagesës së parcelës ndërtimore subjektet mund të përfitojnë nga skema e kreditimit bankar.
Procedurat për legalizimin e ndërtimeve informale
Sipas të dhënave nga ALUIZNI, procesi i legalizimeve fillon nga njësia e qeverisjes vendore ku janë ngritur ndërtimet informale të vetëdeklaruara. Kjo njësi kryen kualifikimin e tyre dhe dërgon pranë drejtorisë rajonale të ALUIZNI-t, brenda 60 ditësh nga hyrja në fuqi e këtij ligji, dokumentacionin e mbledhur gjatë fazës së vetëdeklarimit dhe argumentimin tekniko-ligjor të kualifikimit. Kur njësia e qeverisjes vendore nuk ushtron përgjegjësinë për kualifikimin e objekteve informale, brenda afatit, kjo përgjegjësi ushtrohet nga ALUIZNI. Më pas drejtoria rajonale e ALUIZNI-t bën përpunimin e të dhënave të ndërtimeve pa leje, në përputhje me situatën e paraqitur nga fotografimi ajror dixhital sipas ndarjes kadastrale. Pra përpunohen të dhënat për ndërtimet informale, që nuk përjashtohen nga legalizimi, ALUIZNI plotëson dokumentacionin tekniko-ligjor. Përgjatë procedurës së hartimit dhe plotësimit të dokumentacionit, ALUIZNI, në bashkëpunim me ZRPP-në, identifikon rastet kur parcela ndërtimore, në të cilën është ngritur objekti informal, figuron e regjistruar në regjistrat e pronave të paluajtshme në pronësi të të tretëve. Më tej ALUIZNI i dërgon Këshillit të Ministrave, për vendimmarrje, materialin me të dhënat për çdo pronar të ligjshëm dhe për sipërfaqet takuese, jo më vonë se 30 ditë, nga data e dërgimit të listës paraardhëse. Afati i parë për dërgimin e kësaj liste është data 20 gusht 2008. Hapi tjetër i Agjencisë së legalizimeve, pas plotësimit të dokumentacionit, është miratimi i legalizimit të ndërtimit informal dhe lëshimi i lejes së legalizimit.
18 Gusht 2008